RTSH 24 Live

Kosova

Prishtinë, protesta për shtrenjtim të faturave të energjisë elektrike

26/01/2022

Prishtinë, protesta për shtrenjtim të faturave të energjisë elektrike

Në Kosovë propozimi për shtrenjtimin e faturës së energjisë elektrike, ka mbledhur në Prishtinë një numër të konsiderueshëm të qytetarëve, të cilët i kërkuan kryeministrit Albin Kurti ta “bllokojë tarifën”. Gjatë protestës në sheshin “Zahir Pajaziti”, ata mbanin në duar parrulla kundër kësaj nisme, madje edhe me shprehje fyese kundër kryeministrit Kurti.

Nga ana e tij Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati ka thënë se Qeveria nuk do ta ketë problem t’i ndajë 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, zoti Murati tha se janë përkujdesur që të ketë buxhet të mjaftueshëm për situata të jashtëzakonshme si kjo me krizën energjetike.

“Ne si Qeveri jemi përkujdesur që gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2022 jemi përkujdesur që t’i kemi hapësirat e nevojshme, pra fleksibilitetin e nevojshëm marrë parasysh pandeminë. Çdoherë kemi paraparë që mund të ndodhë një situatë e jashtëzakonshme”, tha ai.

“Sa i përket ndarjeve buxhetore, nuk besoj që do të kemi problem, megjithëse kjo normalisht që është një marrë shtesë edhe për buxhetin” tha Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati.