RTSH 24 Live

Teknologji

Prezantohet iPhone 13, njihuni me risitë e modelit të ri!

15/09/2021

Prezantohet iPhone 13, njihuni me risitë e modelit të ri!

Në eventin e organizuar në ditën e sotme, Apple prezantoi shumë produkte, ku më kryesorët ishin iPhone-t e rinj. Apple ka vendosur të ruajë të njejtat përmasa që u përdorën në gjeneratën e kaluar të smartphone-ve, ku iPhone 13 Mini është versioni më kompakt me ekran 5.4 inç, iPhone 13 me ekran 6.1 inç ndërsa iPhone 12 Pro dhe Pro Max me ekrane 6.1 dhe 6.7 inç respektivisht. Opsionet e memories së brendshme janë rritur këtë vit, ku opsioni më i ulët fillon nga 128GB. Gjithashtu një gjë që vihet re në të gjitha pajisjet është prania e një notch-i 20% më të vogël se në gjeneratën e mëparshme.

Këto dy pajisje fuqizohen nga proçesori i ri A15 Bionic, i cili është më i shpejtë dhe më efiçient se proçesori i gjeneratës së kaluar. Jetëgjatësia e baterisë në këtë gjeneratë është përmirësuar, dhe bateria e iPhone 13 Mini do të jetë në gjendje të zgjasë 1.5 orë më tepër se iPhone 12 Mini, ndërkohë që bateria e iPhone 13 do të zgjasë 2.5 orë më tepër se ajo e iPhone 12.

Apple premton gjithashtu performancë të përmirësuar të rrjetit 5G. iPhone do të suportojë këtë rrjet në më tepër se 60 vende deri në fund të këtij viti. Çmimet iPhone 13 Mini dhe iPhone 13 do të fillojnë nga $699 dhe $799. Më në fund Apple vendosi që të përfshinte teknologjinë ProMotion 120Hz në pajisjet e saja premium. Kjo teknologji bën të mundur lëvizjen midis 10-120Hz në bazë të përmbajtjes që shfaqet në ekranin tuaj 6.1 ose 6.7 inç.

iPhone 13 Pro dhe 13 Pro Max janë të pajisura me 3 kamera në pjesën e pasme. Kamera wide duhet të ofrojë një performancë të përmirësuar në situatat ku ndriçimi është i ulët falë sensorit më të madh, ndërkohë që kamera telephoto tashmë zmadhon 3x. Një opsion i shtuar është dhe modaliteti Macro, përmes së cilës mund të fotografoni subjekte vetëm 2cm larg. Në sektorin e videove, ofrohet regjistrimi në formatin 4k/30fps ProRes.

Bateria e iPhone 13 Pro zgjat 1.5 orë më tepër se 12 Pro, ndërkohë që ajo e 13 Pro Max rreth 2.5 orë më tepër se 12 Pro Max. Ngjyrat në të cilat këto pajisje do të ofrohen janë: graphite, gold, silver dhe light blue, ndërkohë që çmimet fillojnë nga $999 dhe $1,099.