RTSH 24 Live

Aktualitet

Prezantohet EU4LEA/ Hohman: Duhen më shumë rezultate kundër pastrimit të parave! Çuçi: Thelbësor për integrimin në BE

23/09/2022

Prezantohet EU4LEA/  Hohman: Duhen më shumë rezultate kundër pastrimit të parave! Çuçi: Thelbësor për integrimin në BE

Është prezantuar sot programi “EU4LEA”, për mbështetjen e agjencive kryesore të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Ambasadorja e BE-së në vendin tonë Christiane Hohman gjatë prezantimit të projektit, ka bërë me dije se në datën 3 dhe 4 nëntor në Tiranë do të zhvillohet takimi i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për çështjet e drejtësisë.

“Më lejoni të përmend çështjet kritike sa i përket institucioneve të BE. Së pari do të shikohet se si po konsolidohet reforma në drejtësi, formimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë. Së dyti; do të monitorohet nga afër historiku i hetimeve, ndjekjeve penale dhe i dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Së treti; do të priten më shumë rezultate në fushën kundër pastrimit të parave. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të pamundurën që Shqipëria të dalë nga lista gri e FATF-së. Së katërti; do të duhet një angazhim në luftën kundër luftës së prodhimit të kanabisit, armëve apo trafikimit të qenieve njerëzore. Së pesti; zhvillimi i bashkëpunimit me shtetet e BE, me agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit, me EUROPOL, etj, vijimësia e bashkëpunimit është thelbësore për të zhvilluar atë besim që është i nevojshëm, ndaj kërkon përdorimin e kanaleve të sigurta. Ne duam që Shqipëria të dalë e suksesshme dhe të këtë sukses ne këtë përpjekje, ndaj jemi këtu. Bashkëpunimi ynë duhet të jetë më i fortë në fushën e drejtësisë. Kjo kërkon një asistencë të fortë teknike dhe në nivelin politik. Tirana do të mikpresë me 3 dhe 4 nëntor takimin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për çështjet e drejtësisë. Ne ndihmojmë Shqipërinë në mënyrë të vazhdueshme”, tha Hohman.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi deklaroi se EU4LEA, është projekt i ri në fushën e sigurisë, që sipas tij do e ndihmojë Shqipërinë në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian.

Projekti i ri i bashkëpunimit me BE që ka ndryshuar dhe brandin, që ka qenë PAMEKA, besoj se ka qenë momenti për të shënuar që ne lëvizim në një ligë tjetër. Dhe kjo ligë është fillimi i aderimit të Shqipërisë në BE. Projekti do na shoqërojë ne në një proces shumë të rëndësishëm, të ndërlikuar, siç është procesi i negociatave në BE, për aderimin e Shqipërisë në BE. Pa u mbyllur dhe pa evoluar kapitullin 24 Shqipëria nuk mund të ecë me kapituj të tjerë dhe ky kapitull merr një rëndësi të veçantë në etapën në të cilën ne ndodhemi”, tha Çuçi.

Projekti Bashkimi Evropian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri, i njohur me akronimin EU4LEA, është një projekt asistence teknike i financuar nga BE, i krijuar për të mbështetur dhe ndihmuar agjencitë kryesore të zbatimit të ligjit në Shqipëri, veçanërisht Policinë e Shtetit Shqiptar, Ministrinë e Brendshme, SPAK (Prokurorinë e Posaçme dhe BKH), Prokurorinë e Përgjithshme (PP) dhe Prokuroritë e Rretheve, në arritjen e objektivave të tyre dhe afrimin e performancës së tyre me standardet e BE-së.

/rtsh.al/