RTSH 24 Live

Sociale

Prezantohet drafti i Strategjisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, Kushi: Prioritet rritja e buxhetit për kërkimin shkencor

30/03/2023

Prezantohet drafti i Strategjisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, Kushi: Prioritet rritja e buxhetit për kërkimin shkencor

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka prezantuar draftin paraprak të Strategjisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, Teknologjisë dhe Inovacionit, për vitet 2023-2030. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi në fillim të prezantimit ka nënvizuar disa nga qëllimet prioritare të kësaj strategjie, teksa përmendi rritjen graduale të buxhetit për kërkimin shkencor dhe inovacionin deri në vitin 2030 në 1% të Produktit të Brendshëm Bruto, duke përfshirë edhe kontributin e të gjithë aktorëve, sektorit të biznesit, arsimit të lartë privat, organizatat jofitimprurëse, ministritë e ndryshme dhe bashkitë.

Një tjetër prioritet është edhe rritja e pjesëmarrjes së institucioneve që merren me kërkime shkencore, në programet kuadër të BE-së, si Horizon Europe, etj.

Krijimi i një mjedisi që lehtëson dhe nxit ndërveprimin dhe projekte të përbashkëta mes institucioneve kërkimore dhe komunitetit të biznesit është sërish në fokus kryesor të kësaj strategjie.

Ndërkohë, edhe përmirësimi i kapaciteteve të kërkuesve shkencor dhe krijimi i rrjetit të tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë, për rritjen e performancës në programet kombëtare dhe ndërkombëtare, është një nga elementet thelbësore të strategjisë, ashtu sikur se edhe zhvillimi i kapaciteteve infrastrukturore të kërkimit shkencor, krijimi i mjediseve të përshtatshme kërkimore, laboratorëve dhe infrastrukturave kërkimore.

Ky draft është tashmë në konsultim publik dhe për të cilin presim sugjerime konkrete që ndihmojnë në përmirësimin e tij.

/rtsh.al/