RTSH 24 Live

Kosova

Presidentja Osmani takon kryeministrin e Kanadasë: Hapen kapituj të ri të bashkëpunimit

24/11/2021

Presidentja Osmani takon kryeministrin e Kanadasë: Hapen kapituj të ri të bashkëpunimit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare të saj në Kanada ka takuar kryeministrin e këtij shteti, Justin Trudeau, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.

Siç njofton Zyra e Presidencës së Kosovës, kryeministri Trudeau ka përgëzuar presidenten Osmani për "mandatin që ka për të shtyrë përpara shumë nga vlerat që kanë rëndësi për Kanadanë".

Sipas njoftimit, Trudeau theksoi se qëndrimi i vendosur i presidentes Osmani për "demokracinë dhe kundër korrupsionit, pikëpamjet progresive qoftë për mjedisin apo për fuqizimin e grave", janë fusha në të cilat Kanada pret të punojë me Kosovën.

Presidentja Osmani ka theksuar shumë fusha në të cilat mund të hapen kapituj të ri të bashkëpunimit me Kanadanë, nga fusha e mbrojtjes e diplomacisë e deri tek tregtia e arsimi. Sipas saj, Kosova mund të përfitojë nga përvoja kanadeze, posaçërisht sa i përket përfshirjes së grave në vendimmarrje.

Gjatë takimit, Osmani ka falënderuar kryeministrin Trudeau për mbështetjen e Kanadasë ndaj Kosovës në periudha të ndryshme kohore.

“Presidentja Osmani i ka vlerësuar si të shkëlqyeshme marrëdhëniet me Kanadanë dhe ka përmendur se në këtë frymë gjatë kësaj vizite ka dekoruar Forcat e Armatosura të Kanadasë me Medaljen Presidenciale Ushtarake për kontributin e tyre në kuadër të forcave të NATO-s, gjatë intervenimit në Kosovë, më 1999 si dhe për shërbimin e tyre në Kosovë mbi dy dekada. Presidentja Osmani mori mbështetjen e kryeministrin kanadez për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për procesin e njohjeve, duke theksuar se synimi i Kosovës është integrimi në strukturat euro-atlantike”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Osmani ka theksuar se Kosova po zbaton reforma gjithëpërfshirëse, të cilat synojnë forcimin e rendit dhe ligjit, por edhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të huaja dhe për krijimin e vendeve të reja të punës.

Duke folur për gjendjen aktuale në rajon, presidentja Osmani ka theksuar se "diskursi nxitës nga Serbia i mbështetur edhe nga shtrirja e ndikimit rus në rajon, paraqesin rrezik potencial për de-stabilizim të rajonit dhe janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike".

Takimi i saj me kryeministrin kanadez ka ndodhur gjatë vizitës zyrtare disa ditore që Osmani po zhvillon në Kanada. Mes shumë takimeve me delegacione të ndryshme, presidentja Osmani javën e kaluar mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë Halifax, në të cilin ka folur për perspektivën e Republikës së Kosovës dhe sfidat me të cilat është ballafaquar vendi, si në fushën e sigurisë ashtu edhe në përballjen me pandeminë./AA