Presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola ka dalë në mbështetje të përdorimit të raketave me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina në mbrojtjen e saj kundër pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë.
Ajo ka deklaruar se Gjermania duhet të dorëzojë sa më parë sistemin e saj Taurus me rreze të gjatë veprimi në luftën e Ukrainës ndaj Rusisë.
Në një intervistë për gazetat Funke Mediengruppe, Metsola tha "po", kur u pyet nëse vendet që ofrojnë raketa me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën duhet ta lejojnë atë t'i përdorë ato kundër objektivave në Rusi -- dhe nëse Gjermania duhet të dërgojë raketat Taurus në Ukrainë.
Kancelari Olaf Scholz, ka qenë kundër dërgimit të raketave Taurus në Ukrainë.
Partnerët e tij të koalicionit, Demokratët e Lirë pro-biznesit dhe të Gjelbërit, megjithatë, janë në favor të dërgimit të raketave në Kiev.
/rtsh.al/