RTSH 24 Live

Politikë

Presidenti Meta nuk njeh vendimin e parlamentit: Do të pres vendimin e Gjykatës Kushtetuese!

11/06/2021

Presidenti Meta nuk njeh vendimin e parlamentit: Do të pres vendimin e Gjykatës Kushtetuese!

Dy ditë pasi Parlamenti e shkarkoi nga detyra, presidenti Ilir Meta tha se nuk e njeh vendimin e parlamentit, nuk ka asnjë shqetësim nga akti dëshpërues i Parlamentit të shkarkuar më 25 prill, megjithatë la të kuptohet se ai do të prese vendimin e Gjykatës Kushtetuese. "Do ishte mirë të kishim pasur zgjedhje model, por e dimë shumë mirë të gjithë ata që duan ta dinë që Presidenti ka bërë çdo përpjekje për ta parandaluar degradimin e standardit të zgjedhjeve dhe është për të ardhur keq që numri i denoncimeve të  krimeve zgjedhore para dhe pas procesit të zgjedhjeve është shumë herë më i lartë se sa në vitin 2017. Kjo ka ndodhur për shkak të mos hetimit të dosjeve të Dibrës dhe Shijakut, por edhe për shkak të sfidës që është bërë publikisht për të përsëritur tërmetin e Dibrës edhe në Vlorë e kudo. Nuk kam asnjë shqetësim nga akti dëshpërues i Parlamentit të shkarkuar në 25 prill. Unë pres me shumë qetësi dhe padurim përfundimin e procesit," u shpreh zoti Meta.
Para medieve zoti Meta u shpreh i bindur se do të jetë në detyrë deri në korrik të vitit të ardhshëm. “Kini durim deri më 24 korrik të vitit të ardhshëm do të jemi këtu në mënyrë të vazhdueshme, Këto kohë s’do jemi shumë aktiv pasi do i lëmë kohë procesit zgjedhor dhe vëmendjes që duhet dhe të merret parasysh se do të rikthehemi në fillim të sezonit," tha Presidenti.

Zoti Meta përshëndeti edhe urdhrin ekzekutiv të Presidentit të SHBA, Joe Biden, për të bllokuar pasuritë dhe hyrjen në Amerikë të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.