RTSH 24 Live

Aktualitet

Presidenti Meta dekreton paktin e ekstradimit me SHBA

10/06/2021

Presidenti Meta dekreton paktin e ekstradimit me SHBA

Presidenti Ilir Meta, ka dekretuar hyrjen në fuqi të katër marrëveshjeve ndërkombëtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Gjermaninë. Mes dekretimeve është edhe ligji që ratifikon marrëveshjen e ekstradimit të nënshkruar mes dy vendeve, që zëvendëson një traktat ekstradimi që datonte që nga koha e Ahmet Zogut.

Dekretim ka marrë edhe marrëveshja me Gjermaninë për programin e menaxhimit të qendrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve. Po me Gjermaninë ka dekretuar edhe ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin financiar 2019, mbi bazën e të cilës u rehabilitua hidrocentrali i Fierzës.

Marrëveshja e fundit e dekretuar nga Presidenti është një tjetër pakt me Qeverinë gjermane për programin e investimeve për zhvillimin e integruar rajonal.

Njoftimi i plotë i Presidencës

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka dekretuar sot shpalljen e katër ligjeve, që ratifikojnë marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën Federale të Gjermanisë.

Konkretisht, Presidenti i Republikës:

-         Me Dekretin nr. 13096, datë 09.06.2021, ka shpallur Ligjin nr. 67/2021 “Për ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

-         Me Dekretin nr. 13097, datë 10.06.2021, ka shpallur Ligjin nr. 68/2021 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2018, për projektin “Programi për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve (DKTI)””.

-         Me Dekretin nr. 13098, datë 10.06.2021, ka shpallur Ligjin nr. 69/2021 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2019 për projektin “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës (DKTI)””.

-         Me Dekretin nr. 13099, datë 10.06.2021, ka shpallur Ligjin nr. 70/2021 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2018 për projektin “Programi i investimeve për zhvillim të integruar rajonal””.