RTSH 24 Live

Aktualitet

Presidenti Meta: Çlirimi i Tiranës detyrim qytetar dhe patriotik!

19/05/2022

Presidenti Meta: Çlirimi i Tiranës detyrim qytetar dhe patriotik!

Ndërtimet, ndotja dhe trafiku në Tiranë, janë disa nga problematikat që radhit Presidenti Meta në postimin e tij në rrjetin social Facebook. Kreu i shtetit shkruan se paratë informale kanë qenë lobuesi kryesor për rritjen e sipërfaqjes me leje ndërtimi. Meta thekson se çlirimi i Tiranës është detyrim qytetar dhe patriotik pasi nuk ka mbetur më asgjë nga Kryeqyteti i 30 viteve më parë.

Duke e konsideruar këtë si një konstatim tronditës, Meta thotë më tej se rrethimi dhe kapja e programuar e Tiranës, është mbyllje e perspektivës së kryeqytetit dhe banorëve. Një grup klientelistësh dhe oligarkësh të lidhur me qeverinë, sipas Presidentit, e kanë shndërruar  Tiranën në qendrën urbane me cilësinë më të keqe të jetës në Europë dhe ndër të fundit në botë.

Postimi i plotë i Ilir Metës në Facebook:

Tiranës së sotme nuk i ka mbetur pothuajse asgjë nga ajo e 30 viteve më parë. Hapësirat e gjelbra janë ngushtuar. Ndërtesa të reja po lartësohen çdo ditë, ndotja është shtuar, trafiku ka raste që është i papërballueshëm, parkimi është një mision, pothuajse i pamundur. Vlerësimet janë se 40% e ndërtimit qarkullon paratë informale, nga disa kompani, kryesisht në kullat e shtrenjta. Paraja informale duket se ka qenë lobuesi kryesor për të rritur sipërfaqen me leje ndërtimi”.

Këto janë konstatimet tronditëse, që i shohim çdo ditë dhe që i sjell në vëmendjen e banorëve të Tiranës, revista prestigjoze “Monitor” në editorialin që nuk duhet humbur: “Si po shpërdorohet e ardhmja e kryeqytetit!”

Me të drejtë një nga mendjet më të ndritura të kombit do ta krahasonte vite më parë Tiranën me “një xhungël betoni dhe asfalti”, të shndërruar në "lavatriçen" e pastrimit të parave të trafiqeve dhe korrupsionit, të shpërfytyruar dhe që portretizon më së miri atë sekt që nuk çmon as të shkuarën dhe as të ardhmen e popullit dhe vendit të vet, që ka shkatërruar çdo trashëgimi historike dhe kulturore, në zbatim të një projekti shkombëtarizues, ku më të rëndësishme janë paratë se vlerat.

Mbyllja e pamëshirshme e hapësirave jetësore për banorët e Tiranës, paraliza e lëvizjes qytetare, biznesit të vogël dhe të mesëm nga mafia e betonit, ngushtimet dhe devijimet e qëllimshme të rrugëve dhe nyjeve të trafikut, vetëm për t’i shërbyer një grushti klientelist dhe oligarkësh të lidhur me pushtetin e kanë renditur kryeqytetin, në qendrën urbane me cilësinë më të keqe të jetës në Europë dhe ndër të fundit në botë sipas statistikave më serioze. Me shërbimin më të keq shëndetësor, me fuqinë blerëse më të ulët dhe me ndotjen më të lartë të ajrit. Ky është rrethimi dhe kapja e programuar e kryeqytetit, mbyllje e perspektivës së tij dhe të banorëve. Çlirimi i Tiranës nga kjo zgjedhë asfiksuese është një detyrim qytetar dhe patriotik!

/rtsh.al/