RTSH 24 Live

Botë

Presidenti i Ukrainës: Bllokuam përpjekjet për grusht shteti. Akuza për përfshirjen e rusëve

26/11/2021

Presidenti i Ukrainës: Bllokuam përpjekjet për grusht shteti. Akuza për përfshirjen e rusëve

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy bëri të ditur gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot se autoritetet kanë zbuluar një komplot për grusht shteti, në të cilën, siç tha ai, janë të përfshirë shtetas rusë. Zoti Zelenskiy tha se komploti ishte parashikuar të ndodhte javën që vjen.

Zoti Zelenskiy nuk dha detaje të plota dhe nuk akuzoi shtetin rus për përfshirje në komplot, por gjatë konferencës për shtyp ai foli gjerësisht për një kërcënim në rritje ushtarak rus. Ai tha se Ukraina do të ishte gati, nëse një gjë e tillë do të ndodhte.

Kremlini mohoi menjeherë të kishte lidhje me ndonjë komplot për grusht shteti.

Rusia ka arritur praninë ushtrake pranë kufirit të saj me Ukrainën. Ditët e fundit, Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë shprehur shqetësimin rreth një sulm të mundshëm rus, diçka që Kremlini e ka hedhur poshtë, duke e quajtur një akuzë të rreme dhe alarmante.

"Ne përballemi me sfida jo vetëm nga Federata Ruse, me mundësinë e një përshkallëzimi ushtarak, por edhe me sfida të mëdha të brendshme. Mora informacione se një grusht shteti do të ndodhte në vendin tonë më 1 dhe 2 dhjetor", tha zoti Zelenskiy.

Sipas tij autoritetet disponojnë regjistrime audio si dëshmi të komplotit për grusht shteti.

Gjatë javëve të fundit, Moska dhe Kievi kanë akuzuar njëra-tjetrën për rritje të tensioneve, çka ka shtuar frikën për shpërthimin e një konflikti të ri mes dy vendeve.

Ne jemi në kontroll të plotë të kufijve tanë dhe jemi plotësisht të përgatitur për çdo përshkallëzim”, tha zoti Zelenskiy.

Kreu i agjencisë ushtarake të zbulimit të Ukrainës i tha gazetës amerikane Military Times javën e kaluar se Rusia kishte më shumë se 92,000 trupa të dislokuara rreth kufijve të Ukrainës dhe po përgatitej për një sulm deri në fund të janarit ose në fillim të shkurtit.

Në fillim të këtij viti, Ukraina, e cila dëshiron t'i bashkohet aleancës ushtarake të NATO-s, mori një sasi të madhe municionesh amerikane e raketa Javelin, gjë që nxiti kritika nga ana e Moskës.