RTSH 24 Live

Aktualitet

Presidenti Biden me plane ambicioze kundër koronavirusit

22/01/2021

Presidenti Biden me plane ambicioze kundër koronavirusit

 


Presidenti Joe Biden veproi pa vonesë për të koordinuar përpjekjet e qeverisë federale për të luftuar pandeminë e koronavirusit, shkruan VOA. Të enjten, në ditën e parë të plotë në detyrë, presidenti i ri parashtroi planin e tij për të zgjeruar vaksinimet dhe për të forcuar protokollet për maskat.

Në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, zoti Biden tha se fushata e vaksinimeve në SHBA ka qenë “një dështim dëshpërues deri tani”.

"Gjërat do të vazhdojnë të keqësohen para se të përmirësohen,” tha zoti Biden duke folur për goditjen e virusin.

Ai bëri gjithashtu një thirrje personale amerikanëve që për 99 ditët e ardhshme të vënë maskë për të penguar përhapjen e virusit, i cili deri tani ka lënë mbi 405,000 të vdekur, numri më i lartë se në çdo vend tjetër në botë.

“Kjo është një sipërmarrje si në kohë lufte,” tha zoti Biden.

Toni dhe planet e Presidentit Biden dallojnë dukshëm nga praktikat e ndjekura nga pararendësi i tij, Donald Trump, i cili shpesh u përpiqte për të nënvlerësuar seriozitetin e krizës dhe ia la pjesën më të madhe të masave në dorë shteteve individuale, duke rezultuar në praktika nga më të ndryshmet nga një shtet në tjetrin.

Urdhrat ekzekutive të nënshkruara nga zoti Biden të enjten parashikojnë krijimin e një bordi për testimet mbi koronavirusin, për të mundësuar shtimin e ritmeve të testimit, adresimin e problemit të mungesave të testeve, krijimin e protokolleve për udhëtarët ndërkombëtarë dhe dërgimin e ndihmave të drejtpërdrejta në komunitetet pakicë, të goditura më rëndë.

Në aeroporte si dhe në disa linja të transportit publik si në trena, avionë dhe autobusë urbanë do të kërkohen me detyrim maskat.

Administrata do të shtojë prodhimin e vaksinave dhe kapacitetet për të blerë më shumë vaksina “duke shfrytëzuar plotësisht kapacitetet kontraktuese, ndër to edhe Ligjin për Prodhimin e Mbrojtjes,” sipas planit të Shtëpisë së Bardhë.

Administrata e Presidentit Trump e aktivizoi ligjin, i cili i jep presidentit autoritet të gjerë për të “shpejtuar dhe zgjeruar furnizimin me burime nga baza industriale amerikane,” për prodhimin e mjeteve mbrojtëse, por ligji nuk u aktivizua për të mbështetur testimet dhe prodhimin e vaksinave.

Presidenti Biden do të udhëzojë gjithashtu Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave për të reimbursuar shtetet plotësisht për koston e shoqëruar me mobilizimin e Gardës Kombëtare për të luftuar virusin.

Kjo masë rikthen në fuqi “reimbursimin e plotë” nga Fondi për Ndihma ndaj Emergjencave që të mbulohen kostot e lidhura me rihapjen e shkollave. Fondet emergjente zakonisht përdoren pas uraganeve, përmbytjeve dhe katastrofave të tjera natyrore.

Presidenti Biden është zotuar të realizojë 100 milionë vaksinime kundër COVID-it në 100 ditët e para në detyrë. Plani i tij ka si synim të rrisë vaksinimet duke zgjeruar kategoritë që kualifikohen për vaksinim si mësuesit dhe punonjësit e shitjes me pakicë.

Deri të enjten në mëngjes, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se ishin bërë 17.5 milionë doza vaksine nga 38 milionë doza në disponim.

Në Krye të Listës

Virusi hodhi një hije të errët mbi inaugurimin e Presidentit Biden të mërkurën. Turmat prej qindra mijëra vetësh që zakonisht ndjekin ceremoninë, këtë radhë mungonin si rezultat i pandemisë.

Presidenti demokrat e ka renditur luftën kundër koronavirusit si përparësinë e parë në listën e sfidave të administratës së tij, ku përfshihen edhe rindërtimi i ekonomisë dhe drejtësia racore. Zoti Biden ka propozuar një paketë prej 1.9 trilionë dollarësh kundër COVID-it, për të shtuar fondet për asistencë papunësie si dhe pagesa të drejtpërdrejta për familjet amerikane për t’i ndihmuar të përballojnë barrën e pandemisë.

Dhoma e Përfaqësuesve planifikohet ta nxjerrë për votë propozimin në javën e parë të shkurtit, tha zonja Pelosi të enjten.

Disa nga nismat e para të zotit Biden mund të bllokohen në Kongres, ndërkohë që Senati duhet të merret me akuzat e ngritura nga Dhoma e Përfaqësuesve kundër ish-presidentit Trump. Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza kundër zotit Trump javën e kaluar për nxitjen e dhunës kundër Kapitolit më 6 janar. Demokratët kanë aktualisht një shumicë të ngushtë në të dyja Dhomat e Kongresit.

Një person me njohuri mbi planet tha se zonja Pelosi mund t’i dërgojë akuzat në Senat që të premten. Sipas rregulloreve të Senatit, gjyqi fillon një ditë pasi të vijnë akuzat.

Disa demokratë kanë sinjalizuar se mund të përdoren teknikalitete për të vonuar procesin në mënyrë që të vazhdojë puna për axhendën e Presidentit Biden si dhe miratimin e emërimeve të tij për postet drejtuese.