RTSH 24 Live

Politikë

Presidenti/ Balla-Alibeajt: S’ramë dakord të mbështesim me firmat tona kandidatët e opozitës! Kohë deri të dielën të propozoni emër

20/05/2022

Presidenti/ Balla-Alibeajt: S’ramë dakord të mbështesim me firmat tona kandidatët e opozitës! Kohë deri të dielën të propozoni emër
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i është përgjigjur Enkelejd Alibeajt i cili akuzoi maxhorancën se kanë shkelur marrëveshjen e arritur mes tyre për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Alibeaj tha se PS u tërhoq nga marrëveshja, ku opozita do propozonte 4 emra, më pas PS do zgjidhte 2 dhe në mënyrë konsensuale do çonin 1 emër në Kuvend, ndërsa Balla tha se nuk ka patur një dakordësi të tillë.

Në një konferencë për shtyp, Balla u shpreh se palët kishin rënë dakord që maxhoranca të mos propozojë emra në raundin e dytë dhe të tretë, por jo që të mbështesë me firma kandidatin e opozitës.

Balla tha se opozita ka kohë deri të dielën që të bëjë propozimin e saj, në mënyrë që të mos digjet edhe raundi i dytë i votimit, ndërsa theksoi se PS do t'i qëndrojë marrëveshjes për të mos propozuar emra deri në raundin e tretë.

Unë mendoj se duhet të jetë shumë e qartë se PS, ne kemi thënë se në këtë pjesë të procesit jemi të gatshëm të negociojmë për emrat. Por unë e kam thënë disa herë që procesi të ruajë integritetin e tij, që kandidati që propozon opozita të mbështetet me firma vetëm nga opozita, unë mendoj se çdokush na mirëkupton. Ne kemi bërë dhe kalkulimet se sa kandidatë mund të propozohen nga opozita, dhe Alibeaj e konfirmoi se ata i kanë mundësitë të propozojnë dy kandidatë. Deri të dielën kanë mundësinë të propozojnë dy kandidatura. Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të diskutojmë mundësinë e votimit nëse vendosim t’i mbështesim. Kohën e kemi në dispozicion për të mos e humbur raundin e dytë. Kandidati që do të garojë në raundi e dytë apo të tretë duhet të ketë vetëm firmat mbështetëse të opozitës. Pas raundit të tretë të kemi dhe ne të drejtën të propozojmë. Shpreh dëshirën për të vijuar komunikimin sepse nuk duam të shkojë dëm dhe raundi i dytë. Do i qëndrojmë marrëveshjes, nuk do propozojmë emra as në raundin e dytë e as të tretë. Nuk ka patur dakordësi për atë formulën 4-2-1. Kemi patur dakordësi që deri në raundin e 3 të mos ketë propozime nga maxhoranca, por nuk ka sesi ne të mbështesim me firma kandidatin e opozitës”, tha Balla.

Ai shtoi se maxhoranca mbetet e hapur të diskutojë kandidatët e propozuar nga opozita për raundet e dyta dhe të treta, duke theksuar se do ketë përjashtim vetëm për ata që mbështeten me firmën e Sali Berishës.

 “Nëse arrijmë të bëjmë bashkë të gjithë deputetët e opozitës, përveç firmës së njërit, pra nëse për një nga kandidatët ndodhet firma e Sali Berishës ne nuk e diskutojmë. Unë besoj se procesi që kemi nisur edhe në grupet e tjera parlamentare duhet marrë në konsideratë përpjekja e tyre për të dalë me një kandidat të përbashkët”, u shpreh Balla.

/rtsh.al/