RTSH 24 Live

Europë

Presidencialet në Turqi/ Rivali i Erdoganit: Kam prova konkrete, Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet tona

12/05/2023

Presidencialet në Turqi/ Rivali i Erdoganit: Kam prova konkrete, Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet tona

Kemal Kilicdaroglu, kandidati i aleancës kryesore opozitare të Turqisë që garon për postin e presidentit dhe njëherësh rivali kryesor i Recep Tajip Erdogan tha sot se partia e tij ka prova konkrete se Rusia është përfshirë në zgjedhjet turke që do të mbahen këtë të diel, duke përhapur informacione të rreme.  

Kilicdaroglu, i cili ka një epërsi të lehtë ndaj Erdoganit, u shpreh dy ditë përpara zgjedhjeve se është e papranueshme që Rusia të ndërhyjë në punët e brendshme të Turqisë. Ndërsa shtoi se nëse ai bëhet president do të ruajë lidhjet e mira të Ankarasë me Moskën.

Turqia e cila është anëtare e NATO-s varet shumë nga importet e energjisë dhe Rusia është furnizuesi i saj më i madh.

Këtë javë, dy burime i thanë Reuters-it se Ankaraja ka shtyrë pagesën ndaj Rusisë të një faturë prej 600 milionë dollarësh të gazit natyror deri në vitin 2024, duke nënvizuar shtrirjen e marrëdhënieve të forcuara nën Erdogan dhe presidentin rus Vladimir Putin.

I pyetur se pse ai postoi në Twitter të enjten se Rusia ishte përgjegjëse për përhapjen e informacioneve të rreme në internet, Kilicdaroglu tha: “Nëse nuk do t'i kishim (prova konkrete), nuk do të kisha postuar në Twitter”.

Ai tha se partia e tij nuk ka kontaktuar ambasadën ruse për këtë çështje ndërsa nuk dha detaje se cilat përmbajtje në internet ishin të përhapur si lajme të rreme nga Rusia duke ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale.

Kandidati për president nga një parti e vogël, Muharrem Ince, u tërhoq të enjten nga gara duke e cilësuar si “vrasje e karakterit të zgjedhjeve” nga ajo që po kryhet në internet.

Rusia është akuzuar në të kaluarën për ndërhyrje në zgjedhjet e huaja, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të cilën Moska e mohon.

Votimi i Turqisë të dielën konsiderohet si më i rëndësishmi në historinë e saj moderne dhe pritet të ketë ndikim të madh për pozitën globale të Ankarasë, aleancat strategjike dhe drejtimin e saj ekonomik.

Ne e shohim të papranueshme që një vend tjetër të ndërhyjë në procesin zgjedhor të Turqisë në favor të një partie politike. Doja që e gjithë bota të ishte në dijeni, prandaj e bëra këtë thirrje hapur në Twitter”, tha Kilicdaroglu në një intervistë.

Nga ana tjetër, Kremlini ka mohuar çfarëdolloj ndërhyrje në punët e brendshme dhe zgjedhjet presidenciale të Turqisë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se njerëzit që kanë ngritur akuza të tilla, si Kilicdaroglu janë gënjeshtarë dhe se Rusia i vlerëson jashtëzakonisht lidhjet e saj me Turqinë.

/rtsh.al/