RTSH 24 Live

Politikë

Porti i Durrësit/ Ibrahimaj i përgjigjet akuzave të opozitës: Tymnajë gënjeshtrash! Projekti më i madh në Rajon

24/11/2022

Porti i Durrësit/ Ibrahimaj i përgjigjet akuzave të opozitës: Tymnajë gënjeshtrash! Projekti më i madh në Rajon

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, i është përgjigjur akuzave të opozitës në lidhje me projektin e Portit të Durrësit. Nga foltorja e Kuvendit, Ibrahimaj i konsideroi “tymnajë gënjeshtrash” akuzat e opozitës se bëhet fjalë për “aferë”, teksa tha se ky projekt është më i madhi në Rajon.

Duke i bërë thirrje deputetëve që të lënë mënjanë retorikën politike dhe t’i hapin rrugë nëpërmjet votimit këtij projekti, ibrahimaj theksoi se ky investim synon mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit.  

Ky nuk është një debat, por dashakeqësi, mendjeshkurtësi dhe tymnajë gënjeshtrash të cilat kërkohen t’i serviren qytetarëve jo si biseda në një parlament, por si biseda kafenesh. Do i referohem vetëm fakteve. Në një kohë kur të gjitha ekonomitë globale po tkurren, ne prezantojmë një projekt investimi që është dëshmi e atraktivitetit të ekonomisë shqiptare. Investimet e huaja direkte në vitet e fundit në Shqipëri janë rritur me 35%. Shqipëria sot është më atraktive për biznes dhe ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Projekti që paraqitet sot është rasti i një investimi që synon mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit përmes transformimit të qytetit të Durrësit”, tha Ibrahimaj.

Duke folur me gjuhën e shifrave, Ministrja u shpreh se ky projekt, me vlerën 2.1 mld euro, pritet të krijojë 12 mijë vende pune dhe të rivitalizojë zonën. Për mbylljen e kontratës, Ibrahimaj tha se u negociua më shumë se 1 vit, duke shtuar se kjo është hera e parë kur qeveria shqiptare bëhet aksionere.

“Është projekti më i madh në Rajon, ka vlerë 2.1 mld euro dhe nëpërmjet tij synohen të krijohen 12 mijë vende pune. Synojmë rivitalizimin e zonës. Për të siguruar këtë investim ne kemi negociuar gjatë. Këta harrojnë se çfarë i kanë bërë ekonomisë së vendit, skemat piramidale, shitjen e aseteve shtetërore, periudhat kur ndodhën të zezat e Gërdecit apo 21-Janarit, harrojnë si kanë falur interesin publik për interesat personale. Ne sjellim një kontratë të mirë negociuar që përkthehet në zhvillim ekonomik. Kemi negociuar për më shumë se 1 vit dhe nga 33 propozime, pranuam vetëm 5. U mbyll me një kontratë ku shteti do jetë aksioner me 33% dhe aksionet nuk do të ndryshojnë në asnjë moment pasi ne kemi të drejtën e vetos për çdo vendimmarrje të rëndësishme, sa i përket miratimit të buxhetit apo marrjes së huave. Po japim të drejtë zhvillimi dhe toka as nuk po falet e as nuk po shitet. Porti i Durrësit do funksionojë si një port i specializuar për pasagjerët dhe jahtet. Kemi të bëjmë me një krijimi të zinxhirit të vlerës së shtuar ekonomike, në të ardhurat e qytetarëve që kanë pronën në Durrës. Është projekti i parë ku qeveria shqiptare bëhet aksionere. Uroj të ngrihemi përtej retorikës politike dhe të miratojmë një prej projekteve më të mëdha në rajon”, theksoi Ministrja.

/rtsh.al/