Pompei do të kufizojë numrin e turistëve në 20,000 në ditë mes shqetësimeve për mbipopullimin nga turizmi.
Parku arkeologjik planifikon të prezantojë kufizimin javën e ardhshme së bashku me biletat e personalizuara që përmbajnë emrat e plotë të vizitorëve, kanë thënë zyrtarët.
Ndryshimi vjen pasi Parku Arkeologjik kishte një rekord prej më shumë se 36,000 njerëz në një ditë. Kufizimin e numrit të turistëve më herët e kanë vendosur edhe Venecia dhe Barcelona, për të shmangur mbipopullimin nga turistët.
Vitin e kaluar, mbi katër milionë njerëz vizituan mbetjet e qytetit të lashtë romak, me një rritje prej 33.6% nga viti në vit.
Vendi i trashëgimisë botërore ishte një qytet dikur i lulëzuar që u ruajt në mënyrë të jashtëzakonshme nën hirin vullkanik, shkëmbinjtë dhe pluhurin kur vullani në malin Vezuvius shpërtheu në vitin 79 pas Krishtit.
Drejtori i Parkut Arkeologjik të Pompeit, Gabriel Zuchtriegel tha se vizitorët tejkalojnë një mesatare prej 15,000-20,000 çdo ditë dhe kufizimi i ri synon të parandalojë që kjo shifër të rritet më tej.
“Ne synojmë një turizëm të ngadaltë, të qëndrueshëm, të këndshëm dhe jo masiv dhe mbi të gjitha të përhapur në të gjithë territorin përreth zonës së UNESCO-s, e cila është plot me xhevahire kulturore për t’u zbuluar”, tha Zuchtriegel.
/rtsh.al/