RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Policia ndalon vrasësin e dy motrave 

31/12/2020

Policia ndalon vrasësin e dy motrave 

Policia njoftoi se ka ndaluar Përparim Ademin i cili sot paradite qëlloi disa herë më automatik viktimat motrat Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani, në sy të dy fëmijëve të mitur. Me Metanin Ademi bashkëjetonte.
Policia njoftoi se si rezultat i rrethimit të zonës, pikave të kontrollit dhe trysnisë së ushtruar nga shërbimet e Policisë u bë e mundur vënia në pranga e autorit Përparim Ademi. Ky shtetas aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Drejtori i policisë Tiranë Rebani Jaupaj tha më herët se: “Sapo shkuam në vendngjarje pamë që kishim dy viktima, autori bashkëjetuesi i një prej motrave, ai ka qëlluar disa herë më automatik të cilin e ka lënë në banesë dhe është larguar më pas në këmbë pas pallatit.
Kemi organizuar grupet në pikat kyçe të qytetit. Grupi hetimor po vazhdon të hetojë në mënyrë të plotë ngjarjen. Do pyeten dhe dëshmitarët që kanë qenë dhe mund të ndihmojnë për zbardhjen e ngjarjes. Përparim Ademi (Tela) e ka ndërruar emrin para disa vitesh, është shqiptar i Maqedonisë së Veriut. Në vendngjarje kanë qenë edhe dy fëmijët e viktimës. Përmes jush bëjmë thirrje që kush e njeh të na ndihmojë që ta kapim sa më shpejt” njoftoi policia. Hetimet  e deritanishme bëjnë të ditur se Ademi ka deklaruar para efektivëve blu se Zhaneta Metanin, bashkëjetuesen e tij e ka vrarë për arsye xhelozie.