RTSH 24 Live

Kronika

Policia e Shtetit, 94 operacione policore gjatë muajit janar

05/02/2023

Policia e Shtetit, 94 operacione policore gjatë muajit janar

Policia e Shtetit publikoi bilancin e aktivitetit të saj gjatë muajit janar 2023.

Sipas saj bazuar në inteligjencën informative dhe në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, janë finalizuar 94 operacione policore. 

Policia njoftoi se për veprimtari në kundërshtim me ligjet e vendit, gjatë këtij muaji, janë vënë në pranga 564 shtetas, 69 prej të cilëve të kërkuar kombëtarisht apo ndërkombëtarisht.

“Në qendër dhe në qarqe, kanë qenë të vendosur në frontin kundër krimit të organizuar dhe krimeve në përgjithësi. Si rezultat, gjatë këtij muaji janë evidentuar dhe goditur: 203 raste të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve; 94 raste të armëmbajtjes pa leje; 120 raste të krimeve ekonomike; 83 raste të veprimtarive kriminale me objekt kalimin e paligjshëm të kufijve;25 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit”, bëhet e ditur në njoftim.

Gjatë muajit janar 2023, Policia e Shtetit njofton se janë finalizuar operacione dhe megaoperacione, goditje dhe reagim në kushtet e flagrancës, punë parandaluese dhe punë hetimore me qëllim hedhjen dritë mbi krimet e ndodhura më parë.

Po ashtu, Policisë Rrugore, ka vijuar monitorimin e akseve në të gjithë vendin, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, me qëllimin e vetëm, parandalimin e ngjarjeve rrugore, me pasoja për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

“Si rezultat, gjatë muajit janar, janë pezulluar 1324 leje drejtimi, për shkelje të normave të shpejtësisë dhe konsumim të alkoolit, si dhe janë vënë në pranga 166 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit, në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi” bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Shtetit.