RTSH 24 Live

Aktualitet

Policët e rënë në krye të detyrës/ Rama u jep bijve të tyre statusin “Fëmijë në Përkujdesje”: Zgjidhim nevojat financiare

24/01/2023

Policët e rënë në krye të detyrës/ Rama u jep bijve të tyre statusin “Fëmijë në Përkujdesje”: Zgjidhim nevojat financiare

Kryeministri Edi Rama ka pritur në Kryeministri bijtë e dy policëve të rënë në krye të detyrës, Shkëlzen Dobrushit dhe Roland Likajt, duke iu dorëzuar atyre Statusin e posaçëm “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”.

Sipas kryeministrit Rama, ky status bën të mundur ndihmën ndaj të gjithë fëmijëve të të rënëve deri në daljen e tyre nga shkolla apo universiteti, me një pension mujor deri në 150% të pagës së prindit.

Në takimin me bijtë e dy policëve të rënë në krye të detyrës, Shkëlzen Dobrushit dhe Roland Likajt kryeministri Rama theksoi se me këtë ndihmë qeveria synon që fëmijët e të rënëve në krye të detyrës të mos kenë asnjë shqetësim nga pikëpamja ekonomike.

Kemi pasur goxha merak dhe e kemi diskutuar që s’mund të jetë kjo histori me një ndihmë modeste me atë që ishte sepse praktikisht janë fëmijë që humbasin një prind i cili është në punë, i cili ka një pagë që e sjell në shtëpi. Kështu që menduam ta bëjmë plus pagë në mënyrë që të paktën nga pikëpamja ekonomike të mos kenë asnjë shqetësim dhe asnjë mungesë ndërsa përsa i përket pjesës së arsimit ato janë ekstra. Kështu që është mbase pak e vonuar, por jo të gjitha gjërat i kemi ditur dhe i dimë. I mësojmë rrugës dhe në këtë pikë dhe me këtë status them të drejtën jemi vërtet të kënaqur, sepse plotësohet në mënyrë kuptimplotë nevoja financiare. Pastaj dihet ajo edhe sikur të jetë pesëfish, boshllëkun shpirtëror nuk e mbush dot. Por besoj se këta kanë edhe dijen që do i nderojnë baballarët, edhe siç janë krenarë për baballarët, t’i bëjnë edhe të buzëqeshin kur iu shohin nga lart”, u shpreh kryeministri Rama.

 

 /rtsh.al/