RTSH 24 Live

Rajon

Plani për "shpërbërjen paqësore të BiH" tërhiqet nga rendi i ditës i parlamentit të RS

10/07/2024

Plani për "shpërbërjen paqësore të BiH" tërhiqet nga rendi i ditës i parlamentit të RS

Dokumenti për të ashtuquajturën “shpërbërje paqësore të Bosnjë-Hercegovinës” nuk u diskutua nga anëtarët e Asamblesë Kombëtare më 9 korrik, siç ishte planifikuar fillimisht.

Kryetari i Kuvendit të Banjalukës, Nenad Stevandiq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se propozimi është tërhequr nga rendi i ditës, por nuk është përgjigjur në pyetjen se kush e ka propozuar një dokument të tillë.

Stevandiq tha se është propozuar nga deputetët e Asamblesë Kombëtare, pa përmendur ndonjë emër konkret.

Propozimi për shpërbërjen paqësore u njoftua së fundmi nga Presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik dhe u hartua zyrtarisht nga qeveria e RS.

Dodik përshkroi detajet e planit në intervistën e tij me  Sputnik  më 28 qershor. Ai theksoi se Qeveria dhe Asambleja Kombëtare e Republika Srpska do të qëndrojnë pas dokumentit mbi shpërbërjen paqësore të BiH, duke e bërë atë propozim zyrtar të Srpska.

Sipas Dodik, propozimi u krijua duke marrë parasysh pamundësinë që BiH të funksiononte normalisht, edhe brenda kornizës së Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995.

Ai pretendoi se Marrëveshja ishte minuar nga ndërhyrjet e huaja, me ndihmën e boshnjakëve dhe pa u konsultuar me dy kombet e tjera në BiH, serbët dhe kroatët. Nga ana tjetër, analistët politikë thanë se plani për shpërbërjen paqësore nuk ishte një zgjidhje e realizueshme, por “shprehje e bllofit politik”.

Rastësisht apo jo, Kryetarja e Kuvendit Kombëtar të Serbisë, Ana Brnabiq, ka vizituar Banjalukën më 9 korrik, pra ditën kur iniciativa është dashur të diskutohet në Parlamentin e Republikës Srpska.

Duke folur në seancën ceremoniale të Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska, Brnabić tha se Serbia e do RS-në , por gjithashtu respekton integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe dëshiron të vendosë marrëdhëniet më të mira të mundshme me Sarajevën.

Kjo ka qenë vizita e parë e një zyrtari serb në Banjalukë pas të ashtuquajturit " Kuvendi Gjithë-Serb" që u zhvillua në Beograd muajin e kaluar. 

Qeveritë e Republikës Srpska dhe të Serbisë gjatë “Kuvendit Gjithëserb” miratuan “Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmes së përbashkët të popullit serb”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se në Deklaratë nuk kishte asnjë fjalë për ndarjen e RS nga Federata e Bosnjë-Hercegovinës.

 

/rtsh.al/