RTSH 24 Live

Ekonomi

Plani Kombëtar, gazi 5.1% e totalit të burimeve primare të energjisë deri në 2025-ën

25/01/2022

Plani Kombëtar, gazi 5.1% e totalit të burimeve primare të energjisë deri në 2025-ën

Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën 2020-2030 i miratuar së fundmi nga qeveria shqiptyare parashikon si element të rëndësishëm sigurinë energjetike. Në këto kushte gazi është një prej burimeve që pritet të marrë peshë të rëndësishme, shkruan Monitor.

Referuar dokumentit qeveria pranon se deri në vitin 2025 parashikohet që depertimi i gazit në raport me furnizimin nga totali i burimeve primare energjetike të jetë nga 0.37% që ishte në vitin 2020 në 5.1%.

Kjo rritje pritet të vijojë më tej me një peshë 8.5% deri në vitin 2030 duke ecur në linjë me ato që janë përcaktuar më herët në Strategjinë Kombëtare për Energjinë.

“Në vitin 2040 konsumi potencial i gazit natyror për prodhimin e energjisë elektrike mund të jetë rreth 770 milionë m3 ndërsa konsumi i parashikuar në rafineritë e vendit mund të jetë 89.2 milionë m3. Nga 376 njësi administrative vendore janë zgjedhur 85 prej tyre që kanë potencial të mjaftueshëm për zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit” thuhet në këtë plan.

Lidhur me masat që do të merren plani nënvizon zbatimin e projektit për linjën e re të gazsjellësit siç është ai Adriatiko-Jonian dhe për këtë detajohet edhe buxheti duke sjellë në vëmendje kostot.

“Buxheti për linjën e re të transmetimit të gazit parashikuar nga 150 milionë euro deri në 185 milionë euro nga të cilat 67 milionë euro janë për 168 kilometra të gazsjellësit Adriatiko-Jonian” thuhet në dokument.

I njëjti Plan parashikon edhe vënien në punë të Termocentralit të Vlorës duke theksuar se do të mbulojë 20 për qind të deficitit të energjisë elektrike dhe reduktim të importeve. Në masat që duhen marrë për këtë plani parashikon miratimin e koncesionit ndërkohë që buxheti i parashikuar është 58 milionë euro.

Rritja e sigurisë energjetike të vendit shihet e kombinuar edhe me vepra të tjera që janë në zbatim ose që janë përfunduar ku ndër të tjera hidrocentrali i Moglicës i cili është më i madhi i ndërtuar në vend që pas kaskadës së Drinit ndërkohë që tashmë ka nisur puna edhe për Skavicën. Një tjetër projekt që cilësohet me rëndësi është ai i impiantit fotovoltaik lundurues, një projekt i KESH me kapacitet të instaluar 12.9 MW.