RTSH 24 Live

Kulturë

Piktori Edison Çeraj, çel ekspozitën me titull, “Nën lëkurë”

29/10/2022

Piktori Edison Çeraj, çel ekspozitën me titull, “Nën lëkurë”

“Kur bëhet fjalë për figurën dhe trupin e njeriut në artet pamore, shohim se pjesa dërrmuese e artistëve janë mjaftuar me dukjen, me lëkurën, ndërsa bota e nënlëkurës është prekur shumë pak”- në këtë rrafsh e ngre për publikun artisti Edison Çeraj, ekspozitën që ka çelur së fundmi, të cilën ka zgjedhur ta titullojë “Nën lëkurë”.

Këto punime, piktori i ka realizuar 3 vitet e fundit, dhe sipas tij, ato të gjitha së bashku krijojnë një cikël artistik, që i përafrojnë me imazhet mjekësore.

“Në fakt, nuk është se i ka paraprirë titulli dhe koncepti ekspozitës, ishte e kundërta. Fillimisht erdhën punët dhe kishte një moment që filluan të më ngjajnë si imazhe mjekësore, të teknologjisë mjeksësore. Kur flasim për historinë e artit pamor, shumë pak autorë janë marrë me pjesën e nënlëkurës në kuptimin e fjalëpërfjalshëm, por të pakta janë ato imazhe dhe vepra që kanë hyrë nën lëkurë. Pse duhet të merret me nënlëkurën vetë mjekësia, besoj se edhe arti ka diçka për të thënë në kë rast”,- tha Çeraj.

Fizika dhe metafizika janë pjesë e pandashme e qenies njerëzore dhe ndërveprojnë me njëra tjetrën. Përmes këtyre imazheve, të cilat për shumëkënd mund të perceptohen si diçka fizike, artisti Çeraj na përcjell metafizikën e nënlëkurës.

“Ka edhe një element tjetër që ia vlen të përmendet. Natyrisht këtu fillon edhe ndarja me mjekësinë, sepse dihet çfarë roli ka një mjek, këtu fillon një histori tjetër. Sigurisht që është pjesa e artit, i cili në thelbin e vet është një kërkim metafizik, ndryshe nga mjekësia, ndryshe nga mjekësia që ka një kërkim fizik mbi trupin njerëzor. Por ne i ndajmë teorikisht por ata vetë nuk janë të ndara tek njeriu sepse vetë qenia njerëzore ndikon tek fiziku jonë, sikurse edhe një problem fizik na ndikon emocionalisht dhe shpirtërisht. Këtu ka shumëçka për të komunikuar dhe bashkëpunuar”, -komenton Çeraj.

Kjo ekspozitë, e cila vazhdon të jetë e çelur në “Galerinë 70”, do të qëndrojë e hapur deri në datën 6 Nëntor.

/rtsh.al/