RTSH 24 Live

Aktualitet

Pika kufitare e Kapshticës do jetë e mbyllur deri më 8 shkurt

22/01/2021

Pika kufitare e Kapshticës do jetë e mbyllur deri më 8 shkurt

Pika Kufitare e Kapshticës do të jetë e mbyllur deri në datën 8 shkurt. Policia kufitare e Kapshticës ka njoftuar se deri në këtë datë, do të mbetet në fuqi ndalimi i hyrjes së qytetarëve nga Shqipëria për në Greqi. “Autoritetet e Policisë Greke, në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, kanë njoftuar palën shqiptare për shtyrjen e afatit të bllokimit të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, deri në datën 08.02.2021.” thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë. Deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur.

Ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë, kamiona mallrash. Ndërsa mjetet si autobusa, taksi, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojë. Më tej Policia Kufitare e Kapshticës, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin drejt kësaj pike kalimi dhe të orientohen në drejtim të Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, në të cilën lëvizja vijon normalisht.