RTSH 24 Live

Aktualitet

Pesticidet e ndaluara, Ministria e Bujqësisë ngre task-forcën për kontrolle

4 orë para

Pesticidet e ndaluara, Ministria e Bujqësisë ngre task-forcën për kontrolle

Mandarinat e kthyera nga autoritetet kroate, që dyshoheshin se përmbanin dy lloje pesticidesh, që nuk lejohen të përdoren as në Shqipëri, as në vendet e Bashkimit Europian, janë kthyer nga operatori tek fermeri dhe ky i fundit i ka groposur nuk mos zbatuar procedurën e përcaktuar me ligj, bën me dije Ermira Gjeçi, drejtore e kabinetit të ministres së Bujqësisë.

"Nuk ka qenë pjesë e ekipit që është marrë me groposjen dhe kjo është arsyeja pse rasti është çuar për ndjekje penale, sepse procedura e kërkon që Ministria njoftohet dhe është pjesë e ekipit që bën groposjen. Por duke vajtur mbrapsht në zinxhirin e kontrollit, është deklaruar nga fermeri dhe është parë vendi i groposjes. Për rezultate të mëtejshme, sikurse jeni në dijeni, rasti është nën hetim, kështu që nuk mundemi të japim më shumë informacion derisa të përfundojë," thotë znj. Gjeçi.

Gjeçi bëri me dije se Ministria e Bujqësisë ka ngritur një task-forcë, që merret me analizimin e çdo rasti pozitiv nga produktet vendase dhe ato të importit.

"... për të ndjekur gjithë zinxhirin, gjurmueshmërinë dhe për të evidentuar masat sikurse i përcakton legjislacioni në fuqi," deklaron drejtoresha e kabinetit.

Sipas Gjeçit, edhe pse janë kthyer 4 ngarkesa nga 923 në total, sërish apelohen fermerët që të përdorin vetëm pesticidet e aprovuara me ligj.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/