RTSH 24 Live

Aktualitet

Përshtati apartamentin për kultivim kanabisi, Policia arreston 23-vjeçarin e shpallur në kërkim

22/06/2022

Përshtati apartamentin për kultivim kanabisi, Policia arreston 23-vjeçarin e shpallur në kërkim

Policia e Durrësit ka arrestuar një 23-vjeçar të shpallur në kërkim. Policia bën me dije se 23-vjeçari I.A., u shpall në kërkim në dhjetor të 2021 pasi kishte përshtatur apartamentin në Durrës për kultivim të lëndëve narkotike me anë të llambave.

Pas kontrollit të ushtruar në apartament, Policia gjeti dhe sekuestroi 2 kg kanabis të tharë dhe të bërë gati për shitje, 110 vazo ku ishin kultivuar fidanët e kanabisit, 19 llamba dhe pajisje të tjera elektrike.

Njoftimi i Policisë Durrës:

Vijon operacioni policor i koduar "Rent", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, me anë të llambave. Kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari i shpallur në kërkim, i cili kishte përshtatur apartamentin e marrë me qira, për kultivim të bimëve narkotike.

Në kuadër të operacionit policor të koduar "Rent", të organizuar më datë 15.12.2021, shërbimet e Policisë të DVP Durrës, zbuluan në katin e dytë të një pallati, apartamentin e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave, si dhe shpallën në kërkim 23-vjeçarin, si autor të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Durrës, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë ndalimin e shtetasit: -I. A., 23 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Ky shtetas u shpall në kërkim, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në apartamentin e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, nuk u gjet në ambientet e këtij apartamenti, të cilin e kishte me qira.  Si rezultat i operacionit policor të koduar “Rent”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 kg lëndë narkotike cannabis sativa të tharë, të bërë gati për shitje, 110 vazo, në të cilat ishin kultivuar fidanë narkotikë cannabis sativa, 19 llamba dhe pajisje të tjera elektrike, që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, në ambient të mbyllur. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/