RTSH 24 Live

Botë

Përshkallëzohen tensionet, Izraeli sulmon Gazën, të paktën tetë të vrarë

05/08/2022

Përshkallëzohen tensionet, Izraeli sulmon Gazën, të paktën tetë të vrarë
 

Izraeli nisi të premten një sulm ajror në Gaza, duke vrarë të paktën tetë persona, përfshi një komandant të grupit militant të Xhihadit Islamik dhe një fëmijë raporton BBC.

Sulmet vijnë si pasojë të tensioneve të krijuara pasi Izraeli arrestoi një anëtar të lartë të PIJ-së në Bregun Perëndimor të pushtuar. Dhe për këtë PIJ me bazë në Gaza kishte kërcënuar se do të kundërpërgjigjej duke bombarduar Izraelin qendror.

Kryeministri izraelit Yair Lapid tha se Izraeli nuk do të lejojë organizatat terroriste të vendosin axhendën.

"Le të dijë kushdo që ngrihet për të dëmtuar Izraelin se ne do t'i arrijmë. Forcat tona të sigurisë do të veprojnë kundër terroristëve të Xhihadit Islamik për të hequr kërcënimin nga qytetarët e Izraelit," tha ai.

Ministrja e Brendshme e Izraelit Ayelet Shaked shprehet se "ne nuk e dimë se si do të ndodhë kjo, por mund të marrë kohë.Ky mund të jetë një raund i gjatë konflikti dhe i vështirë".

Ditët e fundit, Izraeli kishte marrë masa të shtuara sigurie për komunitetet pranë kufirit të tij me Gazën, duke paralajmëruar se PIJ synonte të sulmonte civilët dhe ushtarët. Blloqet e rrugëve kishin bërë që qytetet dhe fshatrat në Izraelin jugor të ndaleshin.

PIJ, e cila mbështetet nga Irani, ka selinë e saj në Damask, Siri dhe është një nga grupet më të forta militante në Gaza. Ajo ka qenë përgjegjëse për shumë sulme, duke përfshirë raketat dhe të shtënat kundër Izraelit.

Izraeli dhe PIJ luftuan një konflikt pesë-ditor në nëntor 2019 pas vrasjes nga Izraeli të një komandanti të PIJ-së për të cilin Izraeli tha se po planifikonte një sulm të afërt. 

Sulmi la 34 palestinezë të vdekur dhe 111 të plagosur, ndërsa 63 izraelitë kishin nevojë për trajtim mjekësor

/rtsh.al/