RTSH 24 Live

Kosovë

Përplasja në veri/ Stoltenberg: Kosova të mos ndërmarrë hapa destabilizues

28/05/2023

Përplasja në veri/ Stoltenberg: Kosova të mos ndërmarrë hapa destabilizues

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka bërë thirrje Kosovës që të ulë tensionet me Serbinë. Ky reagim i Stoltenberg vjen pas përleshjeve të dhunshme mes policisë së Kosovës dhe protestuesve serbë që kundërshtonin marrjen e detyrës së kryebashkiakëve shqiptarë në veri të vendit.

Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i Aleancës Ushtarake Transatlantike tha se kishte folur me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell për Kosovën dhe se Prishtina e Beogradi duhet të përfshihen në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues”, tha Stoltenberg në një postim në Tëitter.

Serbët, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë në rajonin verior të Kosovës, nuk e pranojnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008.

Shqiptarët etnikë përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë së Kosovës në tërësi.

Serbët refuzuan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në prill dhe kandidatët shqiptarë fituan të katër komunat me një pjesëmarrje prej 3.5%. Serbët vendas, të mbështetur nga Beogradi, thanë se nuk do të pranojnë kryetarët e bashkive dhe se nuk i përfaqësojnë ata, transmeton Reuters.

Të premten, tre nga katër kryebashkiakët u shoqëruan nga policia në zyrat e tyre. Protestuesit hodhën gurë ndaj autoriteteve, të cilët u përgjigjën me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e zemëruara.

Situata mbeti e tensionuar të dielën me policë të armatosur rëndë, me automjete të blinduara që ruanin zyrat e kryebashkiakëve.

/rtsh.al/