RTSH 24 Live

Aktualitet

Përplasja me tifozët në rrugët e Tiranës, policia: U plagosën 10 efektivë! 48 italianë dhe 12 holandezë të shoqëruar

24/05/2022

Përplasja me tifozët në rrugët e Tiranës, policia: U plagosën 10 efektivë! 48 italianë dhe 12 holandezë të shoqëruar

Policia e Shtetit sqaron se si pasojë e përplasjeve të ndodhur mbrëmjen e djeshme nga tifozeritë e skuadrës së Romës dhe Feynoord-it kanë mbetur të plagosur 10 punonjës policie.

Sipas njoftimit paraprak të policisë, efektivët kanë kanë tentuar t'i ndalojnë në rrugën "Mustafa Matohiti" tifozët e skuadrës Feyenoord por në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.

Më pas, një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së DVP Tiranë ku dhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.

Policia e Shtetit njofton se është bërë e mundur shpërndarja e tyre si dhe janë shoqëruar në ambientet e Policisë 60 shtetas nga grupet e tifozëve të dyja skuadrave, 48 shtetas italianë dhe 12 shtetas holandezë dhe vijon shoqërimi i personave të tjerë, të përfshirë në akte të dhunshme.

Policia e Shtetit bën thirrje për shmangien e veprimeve të dhunshme, që nuk manifestojnë asnjë lidhje me sportin.

Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë, për të parandaluar shkatërrimin e pronës si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv që do të zhvillohet në "Air Albania". Dhe për këtë ka marrë të gjitha masat që parashikon ligji.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të mos provokohen nga individë apo grupe tifozësh që mund të jenë nën efektin e alkoolit dhe të njoftojnë menjëherë në 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo tentativë të prishjes së rendit dhe sigurisë.”-thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë së Shtetit.

/rtsh.al/