RTSH 24 Live

Kronika

Përplasi për vdekje të miturën me gomone, Gjykata e lë në burg! Tase i kërkon falje familjarëve të Jonadës

05/08/2022

Përplasi për vdekje të miturën me gomone, Gjykata e lë në burg! Tase i kërkon falje familjarëve të Jonadës

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka marrë sot (5 gusht) vendimin “arrest me burg” për Arjan Tase, drejtuesin e gomones që përplasi për vdekje në plazhin e Potami në Himarë, 7-vjeçaren Jonada Avdiu. Sipas vendimit të  gjyqtares Vjola Canaj, siguruar nga RTSH, Tase akuzohet  si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte”.

“Gjykata ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal ‘arrest me burg” parashikuar nga neni 238 të Kodit të procedurës Penale.“Ngarkohet policia gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Vlorë, brenda 5 ditëve. Gjyqtare Vjola Canaj”, thuhet në vendim.

Sipas informacioneve, vetë Arjan Tase nuk e ka kundërshtuar vendimin e marrë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë. Gjatë seancës, ai u ka kërkuar falje familjarëve të 7-vjeçares së ndjerë dhe Policisë së Shtetit.

Fill pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, përjashtoi nga radhët e Policisë së Shtetit oficerin e Policisë Komisar, Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, i cili është arrestuar menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja.

Prokuroria ka zbardhur në dosje ngjarjen tragjike të Himarës. Në dosje thuhet se ka qenë drejtuesi i mjetit lundrues shtetasi Arian Tase, ai që e ka goditur me mjetin lundrues helikat e motorëve) dhe ka i shkaktuar vdekjen të miturës Jonida Avdia.

"Dëmtimet e konstatuara në trupin e viktimës krijojnë dyshimin e arsyeshëm se i arrestuari ka qenë duke drejtuar mjetin lundrues me shpejtësi të lartë. Sa më sipër është proceduar nga policia gjyqësore me kryerjen e arrestimit në flagrancë e dyshuar fillimisht për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 85 Kodit Penal.

Vepra penale e vrasjes nga pakujdesia është një vepër penale që kryhet me faj, në formën e pakujdesisë që shfaqet në formën e vetëbesimit të tepruar ose të neglizhencës. Personi e kryen veprën penale me pakujdesi kur ai parashikon mundësinë e ardhjes së pasojave, nuk i dëshiron ato dhe me mendjelehtësi shpreson që t’i shmangë pasojat ose kur nuk parashikon pasojat, por nisur nga rrethanat duhet dhe kishte mundësi t’i parashikonte. Në situatën e ndodhur, vdekja e të miturës ka ndodhur në një zonë që është kategorikisht e ndaluar për lejimin kalimin e mjeteve lundruese sheta Arian Tase, me detyrë punonjës i policisë së shtetit, që ka objekt të punës të tij zbatimin e ligjit (dhe pse ditën e ngjarjes rezulton të ketë qenë me leje vjetore) ka vepruar në kundërshtim me ligjin. Ai e ka parashikuar që lundrimi me mjet lundrues pikërisht në një zonë detare të ndaluar për të hyrë, në një zonë ku qenësisht evidentohen fëmijë, të rritur, & moshuar që janë duke pushuar dhe argëtuar sjell pasojë në jetën dhe shëndetin e tyre, duke qenë në dijeni se në një hark kohor relativisht të shkurtër kanë ndodhur të tilla raste tashmë të njohura dhe mediatikisht), dhe pse nuk e ka dëshiruar ardhjen e pasojë pra vdekjen e shtetases së mitur, me veprimet e kryera, ai me vetëdije e ka lejuar ardhjen e pasojës.

Dashje indirekte ose e tërthortë si një nga format e fajësisë nënkupton që personi parashikon që nga veprimi tij mund të vijnë pasoja të kundërligjshme, këto pasoja nuk dëshirohen prej tij, por me vetëdije dhe ndërgjegje lejohet ardhja e pasojave. Në këtë kuptim veprimet e të arrestuarit Arian Tase do te cilësohen sipas nenit 76 të Kodit Penal si vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte të tërthortë", thuhet në dosjen e Prokurorisë.

/rtsh.al/