RTSH 24 Live

Sociale

Përmet, operatorët turistikë shpresojnë për një sezon të mbarë

04/05/2021

Përmet, operatorët turistikë shpresojnë për një sezon të mbarë

Sektori i turizmit edhe në Përmet ka qenë ndër më të prekurit gjatë kohës së pandemisë. Me ardhjen e stinës së pranverës, duket se gjërat po ndryshojnë pasi edhe fushata e vaksinimit po vijon normalisht duke ndikuar në lehtësimin edhe më, të masave kundër virusit. Ata që duken më optimistë, janë administratorët e hoteleve të cilët ishin drejtpërdrejt të prekur nga kjo situatë.

Edhe gjatë kësaj periudhe në Përmet sipas tyre fundjavat janë të rezervuara nga vizitorët kryesisht vendas pa munguar edhe ata pak të huaj. Sektorin e turizmit  vitin që kaloi e ndihmuan kryesisht vizitorët vendas, kur në Përmet kishte më tepër qytetarë nga Tirana, Durrësi, Fieri, etj.

“Këtë sezon turistik që ne po përgatitemi të fillojmë, se Përmeti e fillon që  në muajin prill, ngaqë periudha e dimrit është pak më e vakët, sepse resurset që ka Përmeti janë të tilla që  nuk favorizojnë shumë prurjet e turistëve, është disi pak e ndryshme nga vitet e tjera për shkak edhe të pandemisë, por megjithatë për këtë fillim viti, është një gjë krejt ndryshe nga ajo që ne kishim menduar falë turizmit vendas që sivjet ka patur një prurje jashtëzakonisht të madhe dhe pavarësisht me kushtet jo normale të pandemisë siç ishte reduktimi i orës deri në 20:00, prapë turistë ka patur shumë, në një mënyrë të paimagjinueshme. Do të thosha që fundjava në Përmet është krejt ndryshme jo se zihen të gjithë hotelet dhe guest house por edhe qyteti merr një gjallëri krejt ndryshe nga ditët e  zymta të dimrit dhe tani me fillimin e pranverës Përmeti parapëlqehet dhe ka një tjetër zhvillim. Turistët kanë ardhur çdo fundjavë dhe janë familjarizuar me jetën e Përmetit dhe me një dëshirë  që ne n'a prenotojnë të paktën dy javë përpara. Të shtunat janë pothuajse  të zëna. E veçanta është që po kërkojnë të familjarizohen edhe me mënyrën e gatesës Përmetare, me natyrën dhe me ato resurse që afrohen sidomos eksplorimit siç janë ujërat termale që janë të përshtatshme edhe objektet e kultit si kishat , teqeja e Ali Postivanit por edhe ngjitjet në natyrë. Kanë qenë kryesisht turistë spontanë por edhe të organizuar dhe e veçanta është që po vijnë me grupe shoqërore . Gjë që tregon se mesazhet për Përmetin janë përcjellë në mënyrë pozitive dhe kjo ka bërë që ky trend të jetë gjithnjë në rritje . Deri tani formacioni dhe ajo çka patur Përmeti si turizëm, ka qenë turizmi i huaj që ka ardhur kryesisht me agjensitë turistike. Tani janë ata Tiranas nga Durrësi dhe nga qytete të tjerë", shprehet një administrator hoteli.

Ndryshe nga viti i kaluar që i gjeti të gjithë operatorët turistikë të papërgatitur për të përballuar më së miri pandeminë, sipas tyre ky vit do të jetë më shpresëdhënës. 

“Jemi në hapat e parë të fillimit të sezonit, ka patur ca lëvizje, fundjavat janë të mira ka patur pak lëvizje spontane nga turistë të huaj, fundjavën e kaluar kishim ca turistë Çekë. Ka patur ca lëvizje të organizuara nga grupet shoqërore ose agjensitë e vogla dhe ndaj jemi më optimistë. Edhe vitin e kaluar në muajt e parë u trembëm por më vonë  patëm një lëvizje me turistë të brëndshëm që na ndihmoj shumë nga Tirana, Durrësi e Fjeri “, shprehet një tjetër administrator. 

Pas nje sezoni të vështirë turistik vitin e kaluar nga të gjithë të interesuarit dhe ata që bizneset e tyre  varen nga numri i turistëve, në Përme, po merren masa që këtë vit  të mund të rikuperohen sa më shumë të jetë e mundur dëmet e shkaktuar deri tani dhe pse jo, të rivihen baza për një sezon turistik më të suksesshëm.