14 anëtarët e Forcave të Armatosura Britanike (KFOR) që kanë humbur jetën gjatë shërbimit në Kosovë, janë përkujtuar këtë të diele në një ceremoni të organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Në sheshin “Edith Durham” në Prishtinë, u mbajt ceremonia përkujtimore për 14 ushtarët britanikë që humbën jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, vendosën kurora lulesh në pllakën përkujtimore.
Ceremonia, e mbështetur nga komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, dhe ambasadorët e huaj, përkujtuan sakrificën e ushtarëve dhe dërguan mesazhe për paqe dhe bashkëpunim në rajon.
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se kjo ceremoni të jetë frymëzim për të punuar për paqe.
“Shpresoj ta vazhdojmë këtë ceremoni, për të frymëzuar të gjithë dhe shpresoj që ky mëngjes të na frymëzojë që të vazhdojmë të punojmë për paqe, në këtë rajon dhe në të gjithë botën”, tha ai.
Në këtë ceremoni ka pasur edhe lutje nga prifti britanik, si dhe fjalime të shkurtër dhe poezi nga ushtarët britanik për të rënët.
Nderime për ushtarët bënë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe komandantë që veprojnë në kuadër të KFOR-it.
Kreu i AAK-së ka theksuar se në këtë ditë kur Britania e Madhe dhe Commonwealth-i kujtojnë të rënët që nga Lufta e Parë Botërore, “shprehëm respektin tonë të thellë për sakrificën e luftëtarëve britanikë”.
“Në sheshin “Edit Durham” në kryeqytet, vendosëm lule në Memorialin e Dëshmorëve të Mbretërisë së Bashkuar, duke nderuar kujtimin e tyre dhe duke forcuar lidhjen e miqësisë e të partneritetit të përhershëm që na bashkon”, shkroi ai në Facebook.
Haradinaj ka potencuar se Kosova e ndërtuar mbi themelet e sakrificës dhe flijimit, qëndron krah për krah me botën demokratike.
“Sot, në këtë rrugëtim të përbashkët, synimi ynë është anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional, për t’i shërbyer paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon e në botë”.
/rtsh.al/