RTSH 24 Live

Rajon

Përfundon takimi mes Kurtit dhe Vuçiç, asnjë përparim

19/07/2021

Përfundon takimi mes Kurtit dhe Vuçiç, asnjë përparim

Ka përfunduar takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç i mbajtur sot në Bruksel. Albin Kurti u shpreh se ka propozuar një marrëveshje me 6 pika, por sipas tij ajo u refuzua ende pa u lexuar.

Kurti tha se marrëveshja, që ai tha se ishte deklaratë e paqes, ishte e përgatitur nga ai dhe e balancuar.

“Ajo u refuzua ende pa u lexuar, kjo dëshmon për mosgatishmërinë e tyre për marrëveshje”, tha Kurti. Media serbe “B92” raporton se gjatë takimit Kurti e akuzoi Serbinë për tri gjenocide të kryera ndaj shqiptarëve dhe mori një kundërpërgjigje të ashpër.

Presidenti i Serbisë tha se nuk po beson “se njerëzit po kthehen 150 vite prapa dhe po flasin për të kaluarën”, duke iu referuar kryeministrit kosovar.

“Ishin tri pika, të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta për identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga gjërat që mund të përshkallëzojnë situatën dhe që dialoguesit të takohen rregullisht”, ka thënë Vuçiç për agjencinë Tanjug. Po ashtu Vuçiç ka akuzuar Kurtin se gjatë gjithë kohës ka insistuar për gjëra që nuk kishte pajtim të Serbisë dhe të BE-së.

“Qëndrimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocide ndaj shqiptarëve në Kosovë”, tha ai. “Gjithçka po sillet rreth asaj që të shtyhet Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Njerëzit në BE nuk po besojnë atë që po dëgjojnë. Njeriu u kthye në shekullin XIX. Siç po e shihni, jam i brengosur”, shtoi presidenti i Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka folur pas takimit të dytë me Albin Kurti, duke u shprehur i indinjuar dhe akuzuar Kryeministrin e Kosovës se u kthye dy shekuj pas në kohë me propozimet e bëra.

Ai e cilësoi takimin si më të keqin që kishte menduar, ndërsa tha se Serbia u pajtua me disa propozime nga ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

“Mendova se ishte e pamundur të kisha një takim më të keq dhe sot u binda se ishte e mundur. Ne morëm propozime nga BE-ja që ishin harmonizuar me negociatorët tanë kryesorë. Serbia gjithashtu ra dakord plotësisht me atë që e propozoi BE-ja”, tha Vuçiç.

“Aty ishin tre pika. Të intensifikohen përpjekjet e përbashkëta në identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga situatat e mëtejshme që mund t’i rrisin tensionet në terren dhe që negociatorët të takohen rregullisht”, vazhdoi presidenti serb.

Ai deklaroi se Serbia pranoi plotësisht dhe pa asnjë vërejtje disa propozime të palës së Kosovës, ndërsa tha se “shqiptarët nuk dëshironin”.

“Është veçanërisht interesante që ata nuk donin asgjë tjetër. Ata kushtëzuan me kritere të reja gjatë gjithë kohës. Prezantimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocidet në Kosovë. Pastaj ai na shpjegoi se emrat shqiptarë tërheqin emra nga toponimet në Serbi , ju mund të besoni se njeriu pas 150 vjetësh flet për këto”, theksoi Vuçiç.

“Gjithçka zbret në të njëjtën gjë – dikush do ta detyrojë Serbinë të njohë Kosovën”, shtoi ai.

Sipas tij, Kurti kishte zgjedhur të fliste më shumë për të kaluarën.

“Njerëzit në BE nuk besojnë në ato që po dëgjojnë. Burri është kthyer në shekullin e 19-të. Siç mund ta shihni, unë jam i shqetësuar, nuk e di se çfarë do të bëjmë”, u shpreh Vuçiç.

I pyetur nëse pret reagim nga bashkësia ndërkombëtare, ai u përgjigj:

“Është shumë e vështirë kur flet me njerëz irracionalë. Është shumë e vështirë. Ai thotë se ata nuk e kuptojnë që kishte krime nga të dy palët, ndërsa Serbia e kupton atë”, tha Vuçiç.

Ai tha se ka këmbëngulur për ta diskutuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por që nuk pati përgjigje.

“Për më tepër, pala shqiptare deklaron se arkivat e UÇK-së nuk ekzistojnë. Për aq sa përpiqemi ta gjejmë një zgjidhje, nuk ia vlen ta bësh”, tha ai.