Një mozaik i larmishëm artistik mund të konsiderohet, e gjithë krijimtaria që shpaloste botën shpirtërore të qindra autorëve të huaj anembanë botës, të cilët udhëtuan drejt Festivalit Ndërkombëtar të Filmit dhe Fotografisë, "Travel Fest Albania".
Edicioni i II-të u përmbyll mbrëmjen e së premtes me një sërë çmimesh, ku artistët u vlerësuan në kategori të ndryshme, për filmin, fotografinë dhe dokumentarin më të mirë.
Çmimi për "Filmin më të Mirë", shkoi për Julien Guéraud me " Kërkimi për Heshtjen", një film që trajtonte zhurmat e jetës dhe betejat me to.
Ndërsa çmimi për "Fotografinë më të mirë" shkoi për Michael Stoeger me "Qiejt e dimrit". " Jam shumë i lumtur që jam unë fituesi i çmimit të fotografisë. Kjo foto është shkrepur në Australi dhe ka një domëthënie të veçantë për mua sepse universi është jeta për të gjithë ne. E di këtë që fëmijë, ndonëse kur rritesh shpesh e harron këtë gjë" tha Stoeger.
Organizatorët e Travel Fest Festival, çmimin e tyre ia dhanë Mikael Kyster, për dokumentarin e shkurtër e komik "Familja Kyster në Shqipëri".
Ndërsa, çmimi për kategorinë "Mjedisi dhe Ekologjia" shkoi për regjisorin, Karsten de Vreugd me " Parajsa e shtruar".
Amfiteatri i Tiranës mikpriti prej datës 3 deri më 7 Korrik, artistë dhe artdashës, të cilët bëhen bashkë në një pikë: në dashurinë për kinematografinë dhe gjuhën vizuale. 112 filmat e festivalit janë transmetuar edhe në Durrës e Gjirokastër.
Gazetare Ornela Ceka
/ rtsh /