RTSH 24 Live

Politikë

Peleshi në Gardën Kombëtare në New Jersey: Të thellojmë bashkëpunimin, Shqipëria gjithmonë krah SHBA

22/09/2021

Peleshi në Gardën Kombëtare në New Jersey: Të thellojmë bashkëpunimin, Shqipëria gjithmonë krah SHBA

Në 20-vjetorit të marrëdhënieve të bashkëpunimit dypalësh me Gardën Kombëtare të New Jersey, SHBA, dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi vuri në dukje marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që sipas tij janë po aq që vjetra sa dhe vetë shteti ynë.
Ai përmendi kontributin e pashlyer të presidentit amerikan Wilson, në Konferencën e Paqes në Paris në 1919, në lidhje me të drejtën e popujve për vetëvendosje kombëtare, duke shënuar kështu paprekshmërinë e Shqipërisë. 
Duke përmendur 20 - vjetorin e sulmit terrorist në Qendrën Botërore të Tregtisë, në New York, ministri i Mbrojtjes përsëriti edhe njëherë se vendi ynë gjendet gjithmonë i gatshëm të kontribuojë kundër çdo kërcënimi ndaj vlerave thelbësore të qytetërimit. 
Ministri Peleshi, falënderoi në mënyrë të veçantë komandantin e Gardës Kombëtare të New Jersey, gjeneral brigade Lisa J. Hou si dhe Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, për ndihmën e jashtëzakonshme në modernizimin e Forcave të Armatosura Shqiptare.
Forcat e Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes po i kushtojnë një rendësi të veçantë arsimimit dhe përmirësimit të institucioneve tona arsimore. Ndaj dhe ministri i Mbrojtjes shfrytëzoi rastin dhe kërkoi nga gjeneral Hou angazhimin personal, në mënyrë që të eksplorohen fushat e mbështetjes së mundshme në këtë drejtim. 
Zyrtarisht Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit Dypalësh me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes dhe shtetin e New Jersey në vitin 2001, duke shënuar fillimin e Programit të Partneritetit Shtetëror New Jersey - Shqipëri.