RTSH 24 Live

Rajon

PE miraton rezolutën për strategjinë e re të zgjerimit, Serbisë i kushtëzohen negociatat me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë

23/11/2022

PE miraton rezolutën për strategjinë e re të zgjerimit, Serbisë i kushtëzohen negociatat me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë

Me shumicë votash, në Parlamentin Evropian u miratua rezoluta për zgjerimin e BE-së, e cila konstaton se zgjerimi është politika e jashtme më efektive e BE-së dhe se ky proces është një investim në prosperitetin e kontinentit. Rezoluta, e autorizuar nga deputeti kroat Tonino Picula, u miratua në seancën plenare të Parlamentit Evropian me 502 vota "pro", ndërsa 75 deputetë votuan kundër dhe 61 abstenuan.

Rezoluta i propozon Bashkimit të zhvillojë një strategji të re zgjerimi, të përcaktojë qartë qëllimet e tij në zgjerim dhe të zbatojë reformat institucionale evropiane si heqja e unanimitet në pranimin e vendeve të reja anëtare.

Sundimi i ligjit duhet të jetë në qendër të procesit dhe çdo vend kandidat duhet të gjykohet sipas meritave të veta”, thuhet në dokument.

Po ashtu, rezoluta propozon pranimin me faza të vendeve kandidate në politikat evropiane, iniciativat dhe tregun e përbashkët, duke përfshirë aksesin në fondet evropiane, të cilat do t'u mundësonin qytetarëve të ndjejnë përfitimet e anëtarësimit gjatë procesit të negociatave.

Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhely, tha se politika e përbashkët e jashtme u bë shumë e rëndësishme gjatë luftës në Ukrainë, por se shpejtësia e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet e bazuar në progresin në kapitujt themelorë të negociatave për anëtarësim.

Ndërkohë, pjesa e Rezolutës për Serbinë kërkon që vendi të pajtohet me politikën e jashtme të BE dhe të vendosë sanksione kundër Rusisë. Amendamenti parashikon që nëse nuk vendosen sanksione kundër Rusisë, Serbia nuk duhet të përparojë në rrugën evropiane.

Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varheji, gjatë debatit saktësoi se Serbia duhet të tregojë progres në demokraci, shtet ligjor dhe të pranojë vlerat dhe prioritetet e Unionit.

Ai shtoi se BE-ja duhet të "rishikojë të gjitha fondet për Serbinë në këtë këndvështrim, veçanërisht të gjitha projektet e financuara nga Plani Ekonomik dhe Investues për Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të sigurohet që të gjitha shpenzimet e BE-së janë plotësisht në përputhje me qëllimet strategjike dhe interesat e BE-së".

/rtsh.al/