RTSH 24 Live

Politikë

PD, Tabaku: Të mbështesim bujqësinë, është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare

2 orë para

PD, Tabaku: Të mbështesim bujqësinë, është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e bujqësisë në Shqipëri, duke theksuar se sektori është në rënie për tre vite me radhë.

Gjatë një video-mesazhi, Tabaku e vuri theksin te potenciali i jashtëzakonshëm i tokës shqiptare, e bekuar me produkte të shijshme dhe cilësore, por që për fat të keq, sipas saj, nuk po shfrytëzohet në mënyrën e duhur.

“Ndërkohë që bujqësia duhet të ishte një sektor në rritje, ajo ka pësuar rënie për tre vite rresht. Kemi një rritje të importeve të produkteve ushqimore, ndërkohë që skema e financimit të bujqësisë ka dështuar. Produktet shqiptare, që janë aseti ynë më i madh, nuk po arrijnë të zënë vendin e tyre në tryezat e konsumatorëve”, u shpreh Tabaku.

Sipas deputetes së PD-së, skemat aktuale të masave në bujqësi kanë penalizuar fermerët dhe fshatarët e vegjël, duke mos pasur asnjë ndikim pozitiv në sektor.

Ajo theksoi se, është e domosdoshme që bujqësia të mbështetet si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare, veçanërisht në një kohë kur fondet e IPARD nuk janë më të disponueshme për këtë sektor.

“Në fund të ditës, të gjithë ne konsumojmë këto produkte, dhe është detyrë e shtetit të mbështesë sektorin e bujqësisë për të përmirësuar prodhimin dhe për të rritur konkurrencën e produkteve tona në treg”, përfundoi Tabaku.

/rtsh.al/