RTSH 24 Live

Politikë

PD/ Shehaj: Zgjedhjet po kompromentohen, vëzhguesit e mi janë përjashtuar

13/06/2021

PD/ Shehaj: Zgjedhjet po kompromentohen, vëzhguesit e mi janë përjashtuar

Ndërsa ka 4 orë që ka nisur votimi në të gjithë vendin për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD, kandidati Agron Shehaj, ka denoncuar se procesi në disa degë po komprometohet, sepse janë përjashtuar vëzhguesit e tij dhe po pengohen që të monitorojnë procesin. Procesi, sipas kandidatit për kryetar të PD, po administrohet nga përfaqësuesit e një kandidati. Shehaj nënvizon se kjo ka ndodhur në degët 5, 10 dhe 15 në Tiranë. Ndërkaq edhe në degët 2, 7, 12, 16 të Tiranës, në Delvinë, Patos, Devoll, Shkodër, Librazhd, Dibër, Berat  vëzhguesit e tij të pranishëm  në qendra votimi po mbahen larg dhe nuk po iu lejohet që të verifikojnë nëse ata që po votojnë kanë të drejtë apo jo.

"Jemi duke monitoruar më vëmendje gjithë procesin zgjedhor. Inkurajojmë të gjithë përfaqësuesit dhe mbështetësit tanë që pavarësisht parregullsive dhe presioneve, të japin maksimumin për të mbrojtur votën e demokratëve dhe besueshmërinë e Partisë Demokratike. Ne jemi duke mbledhur fakte e të dhëna për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë. Fatkeqësisht, më duhet të them se, në një pjesë të madhe të vendeve të votimit vëzhguesit e mi po përjashtohen, po ndalohen apo po pengohen që të monitorojnë procesin. Në degët 5, 10 dhe 15 në Tiranë vëzhguesit e mi janë përjashtuar ose nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e votimit. Procesi i votimit në këto degë po komprometohet rëndë, sepse po zhvillohet pa praninë e vëzhguesve tanë dhe po administrohet nga përfaqësuesit e një kandidati. Gjithashtu, në degët e mëposhtme, vëzhguesit e mi të pranishëm po mbahen larg dhe nuk po iu lejohet që të verifikojnë nëse ata që po votojnë kanë të drejtë të votojnë apo jo. Pra nëse janë në lista apo kanë kartë anëtarësie. Kjo gjë po ndodh aktualisht në degët 2, 7, 12, 16 të Tiranës, në Delvinë, Patos, Devoll, Shkodër, Librazhd, Dibër, Berat", tha Shehaj.