RTSH 24 Live

Politikë

PD reagon ndaj deklaratës së presidentit: Meta nuk e fshehu aleancën me Berishën

14/01/2022

PD reagon ndaj deklaratës së presidentit: Meta nuk e fshehu aleancën me Berishën

Partia Demokratike ka reaguar ndaj qëndrimeve nga presidenti Ilir Meta i cili në një konferencë për shtyp theksoi se u ushtrua dhunë nga brenda PD-së në selinë e 8 janarit.

PD-ja në një reagim zyrtar e cilëson si një faktim i aleancës së Metës me Berishën. "Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në një aleancë për të shkatërruar Partinë Demokratike, vetëm për faktin se ajo nuk bëhet bunker ku strehohen ata që kanë halle personale. Partia Demokratike ripërsërit kërkesën që Ilir Meta dhe njerëzit e tij të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike. Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha", thuhet në deklaratën e PD-së.

REAGIM I PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË

Qëndrimi i sotëm i Ilir Metës, ku nuk fshehu aleancën me Sali Berishën kundër Partisë Demokratike dhe rolin e tij aktiv në sulmin ndaj selisë qendrore të Partisë Demokratike, është e vërteta tronditëse që po kuptojnë dita-ditës demokratët.

Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në një aleancë për të shkatërruar Partinë Demokratike, vetëm për faktin se ajo nuk bëhet bunker ku strehohen ata që kanë halle personale. Partia Demokratike ripërsërit kërkesën që Ilir Meta dhe njerëzit e tij të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike. Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha.

Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, njëlloj si Edi Rama, në një debat të brendshëm në Partinë Demokratike, tregon atë që kemi thënë që në nisje, që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë.