RTSH 24 Live

Politikë

PD pagëzon koalicionin opozitar, regjistrohet nesër në KQZ

23/02/2021

PD pagëzon koalicionin opozitar, regjistrohet nesër në KQZ

Në zyrën e kryetarit të PD, Lulzim Basha, duket se janë orët e fundit të negociatave me aleatët për pozicionet që ato do kenë në listën e PD-së. Një ditë para skadimit të afatit të  regjistrimit të koalicioneve në KQZ, mësohet se opozita ka vendosur të pagëzojë grupimin e saj me emrin “Shqipëria fiton”,  një emërtim i njëjtë me sloganin e saj për këtë fushatë elektorale.

Opozita jashtëparlamentare pritet që të regjistrojë nesër në Komisonin Qendror të Zgjedhjeve koalicionin “Shqipëria fiton” bashkë me numrin e kandidatëve që duhet të propozojë secila parti politike brenda koaliconit për çdo zonë zgjedhore. Partia Demokratike do te jetë partia udhëheqëse e koalicionit.

Marrëveshja e koalicionit është ende e hapur pasi zoti Basha nuk ka mbyllur ende negociatat me kryerepublikanin Fatmir Mediu, për pozicioniet që do u takojnë republikanëve në listën e Partisë Demokratike. Detaje po ashtu janë lënë ende të hapura edhe me partinë e Idrizit, PDIU. /tch