RTSH 24 Live

Aktualitet

PD: Mbrojtja e bandave nga Berisha e pafalshme, është "peng" i tyre

27/05/2022

PD: Mbrojtja e bandave nga Berisha e pafalshme, është "peng" i tyre

Partia Demokatike ka reaguar pas deklaratave të bëra nga Sali Berisha gjatë konferencës së mbajtur me gazetarët ku vlerësoi rrëfimet e të ‘penduarit të drejtësisë’ Nuredin Dumanit për krimet dhe anëtarët e bandave kriminale, duke e inkurajuar atë për të nxjerrë në pah të gjithë të vërtetat dhe emrat e plotë të kapo-bandave.

PD ka dënuar deklaratat e Berishës duke e cilësuar të pafalshme mbrojtjen që u bën bandave të Elbasanit. PD thotë se Berisha është marrë peng nga banda e Elbasanit pasi i përdori ato kundër demokratëve. PD nënvizon se Berisha kërkon të shkatërrojë Partinë Demokratike dhe aleati kryesor në ‘nismën’ e tij është Kryeministri Edi Rama, duke i kujtuar dhe vendimin e marrë te Komisioni i Ligjeve për miratimin e kandidatit të propozuar nga Berisha si anëtar për Autoritetin për dokumetet e ish-sigurimit të Shtetit.

“PD dënon me forcë përdorimin e një ngjarje të rëndë për interesa të Sali Berishës. Është e pafalshme të shohësh se si Sali Berisha mbron bandat e Elbasanit edhe pse ai tashmë është peng i tyre, sepse i përdori kundër demokratëve në tentativën e tij për të marrë peng PD. Për hallin e tij, Sali Berisha bëri koalicion edhe me Aqif Rakipin, Tom Doshin dhe Vangjush Dakon. Këtë e dinë gjithë demokratët dhe gjithë qytetarët e Shkodrës, Elbasanit dhe Durrësit. Për hallin e tij, Sali Berisha kërkon të shkatërrojë PD-në dhe ta izolojë atë nga çdo partner ndërkombëtar. Siç po shihet çdo ditë në këtë sipërmarrje, ai ka partner kryesor Edi Ramën. Mjafton të shikoni sot vendimin e Komisionit të Ligjeve, për të kuptuar se si Edi Rama është aleati i Sali Berishës. Ata kanë halle të përbashkëta dhe për hallet e tyre duan të bëjnë kurban PD-në”, njofton PD.

/rtsh.al/