RTSH 24 Live

Politikë

PD/ Gjana: Përfaqësuesit e Shehajt s'kanë përmbushur kriteret

13/06/2021

PD/ Gjana: Përfaqësuesit e Shehajt s'kanë përmbushur kriteret

Partia Demokratike po zhvillon sot zgjedhjet për kreun e ri, të cilat kanë nisur në orën 08:00 të mëngjesit dhe pritet të mbyllen në 19:00, për të vijuar me numërimin e votave më 19:30, ku brenda orës 08:00 të ditës së nesërme pritet edhe rezultati.

Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana, publikoi të dhënat e votimit deri më tani, ku tha se iu janë drejtuar kutive të votimit 12 948 anëtarë, ose 17.2% e anëtarësisë.

“12 948 anëtarë që kanë votuar, që do të thotë një shifër që shkon te 17.2%. Përgjithësisht procesi ka ecur normalisht. Nuk ka pasur vonesa në fillimin e procesit. Në dy-tre raste që ka pasur ndonjë ndërprerje për efekt të qartësimit të situatave të votimit për anëtarë me kartë janë marrë vendimet përkatëse në komision dhe procesi ka vazhduar.

Nuk është përjashtuar asnjë vëzhgues. Mbrëmë deri në orën 12 e gjysëm ka vazhduar procesi i marrjes së propozimeve nga kandidatët. Dje Kadilli ka përmbyllur të gjithë komisionin, me Harxhin kemi mbyllur të gjithë emrat, ajo ka lënë disa komisione bosh.

Kemi patur probleme me 7 apo 8 raste të përfaqësuesve të Shehajt, se erdhën disa propozime që u rrëzuan. Ose nuk kanë pasur kartë anëtaresie. Vëzhguesi i tij në Kavajë ka qënë anëtar në Rrogozhinë. Ka kritere të përcaktuara për të cilat komisioni ka marrë vendimet përkatëse. Deri tani, për Shehajn janë marrë vendime me përfaqësues të tjerë, Kruja, Lushnja, dega 4, Kavaja, Maliqi, Shkodra, kanë luajtur me emrat e dy vëllezërve. Vjen i vllai që nuk është anëtar dhe pretendon që të shkojë në emër të vëllait. Para gjysëm ore është bërë dhe zëvendësimi i vëzhguesve të Shehajt në njësinë 5, e cila shkaktoi për 2 orë rrjesht probleme në qendrën e votimit. Është bërë e qartë që ndalohet filmimi i fletës së votimit, zonja ka bërë veprime të kësaj natyre dhe është bërë zëvendësimi i saj.”, tha Gjana.

Në garë për të drejtuar partinë e dytë më të madhe në vend janë kreu aktual i PD, Lulzim Basha, dhe tre demokratë të tjerë Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj. Anëtarësia e PD në të gjithë vendin po voton mes katër kandidatëve për të zgjedhur kreun e ri të partisë, që do t’i udhëheqë për katër vitet e ardhshme.