RTSH 24 Live

Kronika

Pastruesja dhe djali i saj i vodhën 120 mijë €, pronarja e banesës, ish-shefe e kabinetit të Ahmetajt! Autorëve i gjenden edhe 400 mijë €

08/01/2023

Pastruesja dhe djali i saj i vodhën 120 mijë €, pronarja e banesës, ish-shefe e kabinetit të Ahmetajt! Autorëve i gjenden edhe 400 mijë €

Nënë e bir, R. D., 49 vjeçe dhe H. D., 23 vjeç, u vunë në prangat e policisë të shtunën, të akuzuar se kishin vjedhur 120 mijë euro në shtëpinë ku gruaja punonte si pastruese, por rezulton se shuma e parave e vjedhur prej tyre është shumë më e lartë. Policia ka bërë me dije se në banesën e tyre janë gjetur edhe 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri. Pas rikontrollit në shtëpin e tyre, shuma e parave dhe aksesorët e floririt u gjetën të fshehura në tubin e aspirimit.

Ndërkohë rezulton se pronarja e banesës ku ata vodhën 120 mijë euro është Alda Klosi, ish shefja e kabinetit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Nga ana tjetër nuk dihet burimi i shumës prej 404 800 euro dhe 8500 dollarë që nënë e bir iu gjetën pas rikontrollit, teksa ata dyshohen si autorë edhe për të tjera vjedhje nga ku mund të kenë përfituar edhe paratë.

Një ditë më parë, atyre iu sekuestruan 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri) dhe 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura.

Gjenden dhe sekuestrohen edhe 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, në banesën e dy autorëve të arrestuar gjatë operacionit ditën e djeshme. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të operacionit policor të koduar "Inside", gjatë të cilit u arrestuan shtetasit R. D. dhe H. D., nisur nga dyshimet e krijuara, mbi shumën e vjedhur në banesën në Rrugën e Kosovarëve, bazuar në inteligjencën informative dhe veprimet hetimore të thelluara kanë ushtruar rikontroll në banesën e shtetasve R. D. dhe H. D. (nënë e bir). Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në tubin e aspirimit, 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.

/rtsh.al/