Nuk do të ketë hapësirë të pakontrolluar nga agjencitë shtetërore sa i përket pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Një urdhër i fundit i muajit qershor i firmosur nga kreu i Financave Shqiptare, i kërkon autoritetit tatimor shqiptar të raportojë pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare dyshimet për pastrim parash dhe financim të terrorizmit.
Udhëzimi, madje i jep vetëm 48 orë kohë kreut të Tatimeve që të raportojë pranë inteligjencës financiare.
Në urdhrin, që e disponon edhe RTSH, rregullohet në mënyrë të hollësishme i mënyrave dhe i procedurave për raportimin nga administrata tatimore, si dhe shkëmbimit të informacionit midis Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Agjencisë të Inteligjencës Financiare, në cilësinë e autoritetit përgjegjës.
Sipas nenit numër 3 të udhëzimit, “Organet tatimore i raportojnë autoritetit përgjegjës, menjëherë dhe në çdo rast, jo më vonë se 72 orë pas regjistrimit të veprimit, për çdo dyshim, sinjalizim, njoftim ose të dhënë, që ka të bëjë me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit”.
Një gjë e tillë ndodh për herë të parë nga agjencia që ka detyrë të mbledhë taksa dhe tatime. Madje “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve krijon një sistem të centralizuar përgjegjës për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave, në funksion të përmbushjes së detyrimeve të këtij udhëzimi” – thotë ministri Ervin Mete.
Kreu i financave ka këmbëngulur që drejtoria e tatimeve të organizojë procesin e monitorimit dhe siguron kryerjen e detyrave të përcaktuara nga ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Shqipëria ka treguar mangësi në luftën kundër pastrimit të parave dhe deri para pak kohësh ka qënë në listën gri të Moneyval një strukturë e Këshillit të Europës për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave. Ka qenë Monyval që i kërkoi qeverisë shqiptare, përmirësime në disa fusha që lidhen me uljen e informalitetit dhe monitorimin e parasë kesh në ekonomi. Dyshimet përfshinin disa sektorë si ndërtimi apo tregu i pasurive të paluajtshme, ku supozohej se pastrohen para.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, në një përqindje të lartë të rasteve të identifikuara, nuk dihet origjina e parave të pista dhe në 30% të rasteve që dihen ato vijnë nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Ekspertët shprehën shqetësim për depërtimin në ekonomi të parave të pista. Shqipëria tashmë nuk është pjesë e listës gri të Moneyval, por qeveria, me udhëzimin e fundit të ministrisë së Financave kërkon mbylljen e shtigjeve që kalojnë nga sistemi i taksimit dhe që kanë të bëjnë me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/rtsh.al/