RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Partia shqiptare Alternativa hyn në qeveri në Maqedoninë e Veriut, do të ketë 3 ministri

06/12/2021

Partia shqiptare Alternativa hyn në qeveri në Maqedoninë e Veriut, do të ketë 3 ministri

Partia shqiptare Alternativa vendosi që të bëhet pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Kjo parti, ka 4 deputetë dhe i siguron shumicën parlamentare partive në pushtet, LSDM-së dhe BDI-së, të cilat pas largimit të Lëvizjes Besa, kishin mbetur me 60 deputetë, aq sa vota kishte edhe opozita. Alternativa, që drejtohet nga Afrim Gashi, deri tani, ishte në koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa deputetët e saj ishin edhe nënshkrues të nismës për mocionin e mosbesimit të Qeverisë së Zaev më 11 nëntor.

Hyrjen në Qeveri partia Alternativa e argumentoi me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, në veçanti me procesin e integrimit evropian.

Alternativa do të ketë 3 ministra, me e rëndësishmja ajo e Shëndetësisë, dhe po kaq zv.ministra në qeveri, si edhe rreth 40 drejtori.

Vendimi i Alternativës për të hyrë në Qeveri është kritikuar nga Aleanca për Shqiptarët, e cila e ka akuzuar për shkeljen e marrëveshjes për bashkëpunim opozitar./A2