RTSH 24 Live

Kosova

Parlamenti Evropian thirrje vendeve të BE-së për njohjen e Kosovës

24/02/2021

Parlamenti Evropian thirrje vendeve të BE-së për njohjen e Kosovës

Komisioni për Politikën e Jashtme i Parlamentit Europian, ka miratuar me 50 vota pro, dhjetë kundër dhe nëntë abstenime, raportin për Kosovën të përgatitur nga Viola Von Cramon-Taubadel TABAD deputete e të Gjelbërve nga Gjermania.

Me këtë raport, Parlamenti Evropian u bën thirrje edhe një herë pesë shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar nga PE-ja pas këtij votimi, thuhet se deputetët nënvizojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas KosovaPress  deputetët evropianë po ashtu kanë përsëritur edhe thirrjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi Komisioni Evropian ka konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, e cila edhe e kishte përpiluar tekstin e raportit, është shprehur e kënaqur me miratimin e këtij raporti.

Në raport, Kosova kritikohet për mungesë të progresit të duhur në shumë fusha, sidomos në zbatimin e prioriteteve të agjendës së reformave evropiane. Deputetët shprehën keqardhje për vazhdimin e de-stabilitetit politik dhe u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të angazhohen për reformën e sistemit politik, në mënyrë që të përmirësohet qartësia ligjore dhe procesi i formimit të qeverisë.

Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë përsëritur thirrjet që raportet e Kosovës me Serbinë të mbetet prioritet dhe kusht për avancimin e të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane.