RTSH 24 Live

Lifestyle

Para dhe pas: Pandemia pastron ajrin

02/06/2021

Para dhe pas: Pandemia pastron ajrin

Ndotja e ajrit ka qenë një prej shkatërruesve më të mëdhenj të ambientit. Të dhënat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë vlerësuar se ndotja e ajrit vret rreth shtatë milionë njerëz në tërë botën, për çdo vit.

Të dhënat e siguruara nga agjencia e lajmeve BBC tregojnë gjithashtu se 9 në çdo 10 njerëz në glob thithin ajër që i kalon kufijtë e udhëzimeve të OBSH-së, për shkak të nivelit të lartë të ndotësve.

Dallimi i dukshëm

Emetimet nga djegia e karburanteve llogariten të kenë rënë për pothuajse një çerekun e vlerës së emetimeve të dyoksidit të karbonit nga veprimtaria e njerëzve. Kështu që, ndikimi i izolimeve në transport në tërë globin gjatë pandemisë së COVID-19 ishte i dukshëm.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, aktiviteti mesatar global i transportit ka shënuar rënie prej pothuajse 50 për qind krahasuar me vitin 2019.

Rezultatet e cilësisë së ajrit, sipas BBC-së, mund të vërehen me sy.

Për një kohë të shkurtër, hapësirat urbane kanë regjistruar ulje të madhe të një sërë ndotësve të lidhur me makinat që përdorin djegie të brendshme. Të dhënat e mbledhura nga Qendra Kombëtare britanike për Shkencën Atmosferike tregojnë ulje të shënuar në lirimin e dyoksidit të nitrogjenit dhe në grimca në 10 qytete britanike.

Në Indi, njerëzit i kanë pushtuar mediat sociale me fotografi, ku shihet qielli i kthjellët pasi rreth 90 për qind e udhëtimeve ishin ndaluar gjatë izolimit.

Sunil Dahiya nga Qendra për Hulumtim të Energjisë dhe Ajrit të Pastër ka thënë për BBC-në se “kriza aktuale ka treguar se qielli i kthjellët dhe ajri i pastër mund të arrihen shumë shpejt nëse ndërmerren veprime për ta ulur djegien e karburanteve fosile”. Megjithëkëtë, ajri është rikthyer në niveleve të njëjta pas lirimit të masave, me shpejtësinë me të cilën edhe është përmirësuar gjatë izolimit.

Ndikimi i vogël në CO2

Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) ka njoftuar se reagimi global ndaj krizës së COVID-19 ka pasur pak ndikim në rritjen e vazhdueshme të përqendrimit të dyoksidit të karbonit në atmosferë. Ndonëse këtë vit është shënuar rënie dramatike e emetimit të karbonit shkaku i izolimeve që kanë ndikuar në ndalimin e sistemeve të transportit dhe industrisë.

Të dhënat nga OBM-ja, sipas BBC-së, kanë treguar se është ulur pak rritja e përgjithshme e përqendrimeve.

Hollësitë janë publikuar në buletinin vjetor të OBM-së për gazet serrë. Gjatë izolimeve ishte pretenduar se do të ketë gjasa më të mëdha për përmirësimin e gjendjes mjedisore.

Ithtarët bënin të ditur se ishte thelbësore që rritja ekonomike pas pandemisë është përqendruar në emetimet e ulëta. Pavarësisht deklaratave për shtimin e mjediseve të gjelbëruara, BBC-ja raporton se duket që prioriteti prapëseprapë ishin bizneset, pa marrë parasysh koston.