RTSH 24 Live

Lifestyle

Papa Françesku takon në Vatikan Silvester Stalonen, "boksojnë" për një çast

08/09/2023

Papa Françesku takon në Vatikan Silvester Stalonen, "boksojnë" për një çast

Silvester Stalone (Sylvester Stallone), një nga aktorët më të dashur të Hollivudit, i famshëm për interpretimin e personazhit të “Rocky Balboa”, është rikthyer në Vatikan, këtë herë në një takim privat me papa Françeskun, në Pallatin Apostolik, i cili e mirëpriti duke i thënë se ishte i “nderuar”. 

Aktori shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Jennifer Flavin, vajzat e tij Sophia, Sistine dhe Scarlet, si dhe vëllai i tij Frank Stallone.

Papa i tha Stalones se "u rrit me filmat e tij". Stalone u përgjigj me shaka "ne edhe boksojmë" dhe hodhi disa goditje të lehta ajri, të cilat Papa i ktheu më pas.

Në këtë periudhë, ylli i Hollivudit ndodhet me pushime në Itali së bashku me vëllain e tij, gruan e tij Jennifer dhe tre vajzat e tyre për të ripërtërirë rrënjët e tyre.

Vetëm ditët e fundit, Stalone dhe vëllai i tij Frank, një muzikant mjaft i njohur, morën shtetësinë e nderit të “Gioia del Colle”, në provincën e Barit, prej nga vinte gjyshi i tyre para se të emigronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Stallone solli me vete çelësin e dyqanit ku gjyshi i tij punonte si berber, një çelës i madh pak i ndryshkur, që ai ia la kur vdiq dhe që familja Stallone e mban si një lloj relike.

Vitin e kaluar “Rocky Balboa” ishte në Itali për të promovuar një shfaqje të re në platformën e “Paramount”. Kësaj radhe duket se ai vizitoi Papën vetëm për të kërkuar një bekim të veçantë, ndoshta edhe për të mohuar lajmin që qarkulloi vitin e kaluar për ndarjen nga Jennifer, me të cilën ai është i martuar prej 25 vitesh. BBC