24 orë nga fillimi i aplikimeve për vendosjen e paneleve diellore për ngrohej e ujit, 136 aplikime kanë mbërritur nga qytetarët në Agjencinë e Eficencës së Energjisë.
Lajmi u bë i ditur nga zv/kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një postim në rrjetet sociale.
“Jemi krenarë për faktin që të gjithë së bashku po solidarizohemi për kursimin e energjisë. Fakti që të gjithë e kanë kuptuar çelësin e suksesit për të përballuar këtë krizë na bën besimplotë se e ardhmja do të jetë akoma më e mirë” shkruan zonja Balluku.
Nga 1 nëntori qytetarët mund të aplikojnë për të përfituar subvencion në masën 70 % për instalimin e paneleve me ngrohje diellore. Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga klientët familjarë synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe përmirësimi i furnizimit me ujë të ngrohtë sanitar dhe reduktimin e emetimeve të CO2.
Kjo është thirrja e dytë për aplikim, e cila i drejtohet klientëve familjarë të interesuar për marrjen e shërbimit të instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit për deri në 2000 (dy mijë) konsumatorë familjarë, të cilët do të përzgjidhen për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse.