RTSH 24 Live

Botë

Pandemia dhe tensionet me Kinën në qendër të takimit Suga-Biden

15/04/2021

Pandemia dhe tensionet me Kinën në qendër të takimit Suga-Biden

Kryeministri japonez Yoshihide Suga u nis për vizitë zyrtare në SHBA për bisedime me presidentin Joe Biden sidomos të përqendruara te pandemia e Covid-19 dhe tensionet me Kinën.

Suga pritet të mbajë një samit me Biden në Shtëpinë e Bardhë të premten, duke u bërë udhëheqësi i parë i huaj që takon personalisht presidentin e ri.

Suga dëshiron që bisedimet të jenë “produktive”, sipas medias.

Të dy udhëheqësit duan të tregojnë lidhjet e forta të aleancës Japoni-SHBA dhe angazhimin e tyre në rajonin e Indo-Paqësorit.

”Suga dhe Biden pritet të diskutojnë ndryshimin e klimës, pandeminë Covid-19, çështjet e Kinës dhe Koresë së Veriut dhe bashkëpunimin drejt një rajoni të lirë dhe të hapur Indo-Paqësor”, deklaroi qeveria japoneze.

Tokio ka shprehur shqetësim lidhur me një ligj të ri kinez që lejon rojat bregdetare të Pekinit të përdorin armë në anijet e huaja.

Gjatë dy muajve të fundit, anijet e rojave bregdetare kineze janë vërejtur çdo ditë pranë një grupi ishujsh të pabanuar në Detin e Kinës Lindore.

Ishujt Senkaku të administruar nga japonezët pretendohen gjithashtu nga Kina dhe Tajvani, ku ata njihen përkatësisht si Diaoyu dhe Tiaoyutai./ATSH