RTSH 24 Live

Letërsi

Panairi i Librit, Fatos Baxhaku pas vdekjes vlerësohet “Autori më i mirë”

16/11/2020

Panairi i Librit, Fatos Baxhaku pas vdekjes vlerësohet “Autori më i mirë”

Fatos Baxhaku me librin “Në emër të Noes” u vlerësua pas vdekjes, me çmimin “Autori më i mirë”, në Panairin e Librit “Tiranë 2020”. Shoqata e Botuesve Shqiptarë në ditën e fundit të panairit dje përmes jurisë dha çmime dhe vlerësime për autorët, përkthyesit dhe lexuesit e vitit. Motivacioni që shoqëronte çmimin e “Autori më të mirë” Fatos Baxhaku (pas vdekjes) me librin "Në emër të Noes" ishte: “Për stilin e veçantë e për t’u lakmuar të rrëfimit të historisë së Shqipërisë, në emër të Noes, vetë shkrimtari ynë, që gjen paqen në degën e ullirit”. Në ceremoninë, që u zhvillua dje në mesditë vëllai i autorit Fatos Baxhaku mori çmimin. “Jam shumë i prekur nga ky vlerësim”, tha Artur Baxhaku në ceremoninë e çmimeve. 
Çmimin e “Përkthyesit më të mirë” e mori Agim Doksani, për romanin e Elena Ferrantes “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve”, me motivacionin: “Për prurjen shumë cilësore në shqip të romanit, për respektimin e stilit, të sintaksës dhe pasurisë gjuhësore në përshkrimin e karaktereve”. 
Çmimin e “Autorit më të mirë të letërsisë për fëmijë” e mori shkrimtarja Adelina Mamaqi për librin "Ne tani lexojmë vetë", me motivacionin: “Për përmbushjen e qëllimit kryesor të letërsisë: eksplorimin e botës dhe njeriut. Për lehtësinë me të cilën përçon te lexuesit e vegjël filozofinë që të orienton drejt kuptimit të thelbit të ekzistencës. Për simbiozën mes autores dhe lexuesit që i drejtohet”. 
Çmimi i përkthimit nga letërsia franceze, iu akordua përkthyesit Primo Shllaku, për romanin "Katedralja Shën Maria e Parisit", me motivacionin: “Përmes sfidës së ripërkthimit, na risjell në shqip një vepër madhështore e kanonike përmes një verbi elegant e të kërkuar dhe një regjistri të riaktualizuar për lexuesin e shekullit të ri”. 
Çmimi i “Lexuesit më të mirë” iu nda djaloshit Jamarbër Hoxha me këtë motivacion: “Për dashurinë dhe vëmendjen e veçantë që ai ka për librin dhe letërsinë”. 
Juria e këtij edicioni kryesohej nga Diana Kastrati studiuese dhe përkthyese, dhe e përbërë nga Enkel Demi shkrimtar dhe gazetar, Arta Marku kritike letrare dhe përkthyese, Ledia Dushi poete dhe përkthyese, si dhe Erion Kristo, përkthyes dhe kritik. Shoqata e Botuesve Shqiptarë e zhvilloi online edicionin e 23 të Panairit të Librit “Tirana 2020”, në datat 12-15 nëntor.