RTSH 24 Live

Kosova

Palmer dhe Lajçak në Kosovë, takimet me dyer të mbyllura

31/05/2021

Palmer dhe Lajçak në Kosovë, takimet me dyer të mbyllura

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, filluan të hënën takimet me udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për rifillimin bisedimeve.

Të gjitha takimet po mbahen me dyer të mbyllura.

Ndonëse edhe me takime të ndara e të përbashkëta, vizita e tyre shihet si një mesazh i bashkërendimit transatlantik lidhur me bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, që është kusht për përparimin e të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Rifillimi i bisedimeve është paralajmëruar për mesin e muajit qershor dhe do të shënojë rastin e parë të takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Një bashkërendim i tillë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, sipas vëzhguesve, pritet të shtohet me administratën e presidentit amerikan Joe Biden, i cili u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një marrëveshje që do të kishte në qendër njohjen e ndërsjellë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë.

Paralajmërimet për rifillimin e bisedimeve tashmë dhjetëvjeçare, që njohën periudha ndërprerjesh u përcollën me debate rreth disa dokumenteve joformale për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor që përfshijnë edhe ide për ndryshime kufijsh.

Idetë e tilla u kundërshtuan nga Bashkim Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara.

Partitë opozitare në Kosovë, më herët gjatë së hënës i kërkuan zoti Palmer, i cili po qëndron për një vizitë treditëshe në Prishtinë, përfshirje më të madhe amerikane në procesin e bisedimeve, duke vlerësuar se Shtetet e Bashkuara janë partneri më i fuqishëm në të gjithë proceset e konsolidimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës.